Porti i Durrësit është projektuar dhe do të ndërtohet edhe si “Porti i Prishtinës”.

Lajmin e bëri të ditur studio holandeze e cila është kontraktuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

“Pra, ju keni shtuar Prishtinën, shkëlqyer, praktikisht ky bëhet edhe porti i saj gjithashtu”, u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama para përfaqësuesit holandez.

Sipas studios, porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik.

Në vijim, përfaqësuesi deklaroi se kjo mund të jetë një portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor.

Rama shtoi se ky ishte qëllimi që në premisat e para të këtij projekti.

“E pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste dhe nuk kishte kapacitetet për t’u zgjeruar”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Sa i takon portit të ri, kryeministri theksoi se ai ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Zgjatimi i portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”, tha në përmbyllje Rama.

Kujtojmë që më 7 prill kreu i qeverisë bënte me dije fillimisht se porti aktual nuk mund të vazhdojë të rrijë në zemër të qytetit.

Kjo, pasi nuk ka sens që qyteti të marrë gjithë ndotjen e portit aktual.

I ftuar në një studio televizive, Rama nënvizonte se porti komercial tregtar do të shkojë në Porto Romano.

Rama: Ju keni shtuar Prishtinën? Fantastike, praktikisht ky bëhet dhe porti i Prishtinës.

Eksperti: Po dhe vetë porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, ka mundësi të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor.

Rama: Ky ishte qëllimi ndaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte rrëmujë e tërë, nuk kishte kapacitet për t’u zgjeruar, ndërkohë që porti i ri ka potencial, kapacitete dhe na bën portën hyrëse në gjithë Ballkanin Perëndimor. Zgjatimi i portit në Prishtinë është kryevepër.

Eksperti: Po është interesante se ne nisëm këtë detyrë me ekipin e gjatë punës u bëmë entuziastë mbi mundësitë e projektit kështu që ka entuziasëm dhe brenda ekipit.