Ditën e nesërme në kryesinë e kuvendit do të vijojnë negociatat mes grupeve parlamentare për zgjedhjen e emrit të ri të kreut të shteti. Burimet për gazetarin e Report Tv Ermal Qori bëjnë me dije se takimet do të zhvillohen të ndara, ku fillimisht pritet të diskutohet mes Kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe Mesila Dodës, në orën 10:00.
Takimi do të pasohet Fatmir Mediun, ndërsa ende nuk ka një konfirmim nga ana e kreut të grupit demokrat Enkelejd Alibeaj.
Më 16 maj, ora 17:00 do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të republikës, vendim i cili u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Më 15 maj ora 16:00 është afati I fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve, ndërsa më datën 16 maj ora 10:00, mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave. Afatet janë vendosur me votë të Partisë Socialiste, pasi përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votim..
Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t’u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentar dhe shoqërisë civile. Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë. Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.