Lufta në Ukrainë po hyn në një fazë më të rrezikshme. Edhe pse Rusia duket se i ka zvogëluar synimet e saj, që kur Kievi i rezistoi pushtimin fillestar të Moskës, tani Kremliniështë i vendosur të zgjerojë territorin që pushtoi dhe aneksoi në Ukrainën Lindore dhe atë Jugore në vitin 2014.
Ndërkohë, aleatët e NATO-s janë maksimalisht të angazhuar në ndihmë të Ukrainës, duke e furnizuar me të dhëna të shërbimeve të inteligjencës, ndërsa po shohin perspektivën e një “fitoreje” që përfshin dëbimin e Rusisë nga Ukraina.
Por me përshkallëzimin e përpjekjeve nga të dyja palët, NATO duhet të angazhohet në një dialog të drejtpërdrejtë me qeverinë ukrainase mbi qëllimet që ka në këtë luftë, dhe mbi mënyrën më të mirë për t’i dhënë sa më shpejt fund gjakderdhjes. Rusia ka pësuar tashmë një humbje strategjike vendimtare.
Forcat ukrainase e ndalën avancimin e rusëve drejt Kievit, dhe kanë mbajtur nën kontroll pjesën më të madhe të vendit. Perëndimi e ka goditur Rusinë me sanksione të rënda ekonomike; NATO e ka përforcuar ndjeshëm krahun e saj lindor, ndërsa Finlanda dhe Suedia kërkojnë tani që t’i bashkohen aleancës.
Si për NATO-n po ashtu edhe për Ukrainën, maturia strategjike anon në favor të garantimit të këtyre sukseseve, në vend të shtyrjes së luftës dhe përballjes me rreziqe të tjera. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë shmangur deri tani presionin ndaj Kievit për të kufizuar objektivat e tij strategjikë.
Në vend të kësaj, aleanca është fokusuar në sigurimin e të gjitha mjeteve që Ukraina të arrijë të mbrojë veten. Pra më shumë raketa antitank dhe kundërajrore, më shumë dronë, më shumë artileri, më shumë të dhëna të shërbimeve sekrete perëndimore.
Administrata Biden argumenton me të drejtë se ukrainasit duhet t’i vendosin vetë qëllimet e tyre në këtë luftë. Është gjithashtu e vërtetë se Kievi është plotësisht i justifikuar, si në aspektin moral po ashtu edhe në atë ligjor, që të kërkojë të rivendosë integritetin e plotë territorial të Ukrainës duke e rimarrë Krimenë dhe Donbasin, që Rusia i pushtoi në vitin 2014.
Por e drejta e Kievit për të luftuar për një sovranitet të plotë territorial, nuk e bën këtë një zgjidhje strategjikisht të zgjuar. As suksesi i jashtëzakonshëm i Ukrainës në zmbrapsjen e përparimit fillestar të ushtrisë ruse, nuk duhet të jetë shkak për një besim të tepruar në lidhje me fazat e ardhshme të konfliktit.
Në fakt, një pragmatizëm strategjik do të garantonte një diskutim të sinqertë midis NATO-s dhe Ukrainës rreth frenimit të ambicieve të Kievit, dhe mbi një zgjidhje që do të prodhonte një rezultat që nuk arrin domosdoshmërisht tek “fitorja”. Një kufizim të tillë e imponojnë disa faktorë.
Së pari, sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më të mëdha do të jenë dëmet në njerëz dhe ato materiale. Pushtimi i Rusisë ka shkaktuar deri tani vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, ka detyruar rreth 12 milionë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre (rreth 6 milionë janë larguar nga vendi), dhe ka shkaktuar rreth 60 miliardë dollarë dëme në infrastrukturën e vendit. Sanksionet kundër Rusisë dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit, po nxisin rritjen e çmimeve në shumë vende të botës, dhe mund të shkaktojë një mungesë globale të ushqimeve.
Së dyti është rreziku i përshkallëzimit të konfliktit. Nëse forcat ruse kanë sukses në lindje dhe jug, Kremlini mund të vendosë të zgjerojë synimet e veta dhe të kërkojë të gëlltisë më shumë territore nga Ukraina.
Përndryshe, nëse forcat ruse do të pësojnë të tjera humbje të rënda dhe tërhiqen nga pozicionet e tyre javët e ardhshme, dhe nëse Vladimir Putin do të përballet me një disfatë të mëtejshme, ai mund të synojë të përdorë armë të shkatërrimit në masë, ose të shkaktojë një konflikt më të gjerë për të ndryshuar rrjedhën e luftës.
Një rrezik real është përshkallëzimi aksidental i kësaj lufte, në kushtet kur Rusia po kryen tashmë sulme pranë territorit të NATO-s, dhe forcat ruse dhe ato të NATO-s po veprojnë shumë pranë njëra-tjetrës.
Së treti, edhe pse Perëndimi ka treguar një unitet mbresëlënës në mbështetjen e Ukrainës dhe përballjen me agresionin rus, solidariteti i Perëndimit mund të zbehet me kalimin e kohës. Inflacioni po rritet në të dyja brigjet e Atlantikut, i nxitur pjesërisht nga efektet e luftës.
Rritja e çmimeve po e dëmton popullaritetin e presidentit Joe Biden, dhe e ka zhvendosur fokusin e tij të mëparshëm ndaj shtimit të vendeve të reja të punës. Mund të prishet bashkëpunimi dypartiak në kundërvënien ndaj Putinit. Kanë nisur të shfaqen që tani dallimet midis aleatëve transatlantikë.
Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë folën javën e kaluar për nevojën e një armëpushim dhe të një zgjidhje të negociuar. Ndërkohë, Uashingtoni dhe Londra duket se po mbështesin synimin e Ukrainës për të arritur, sipas ministrit të saj të jashtëm, “çlirimin e territoreve të pushtuara”.
Rezultatet elektorale që nga fillimi i luftës nuk janë të mira as për pozitën kolektive të Perëndimit. Victor Orbán, mbrojtësi i vetëshpallur i “demokracisë jo–liberale”, u rizgjodh për një mandat tjetër si kryeministër. Deri më tani ai i ka bllokuar përpjekjet e Bashkimit Evropian për të vendosur embargon ndaj naftës ruse.
Edhe pse kandidati i qendrës Emmanuel Macron u rizgjodh president në Francë, kandidatja e djathtë dhe pro-ruse, Marine Le Pen, mblodhi më shumë se 40 për qind të votave. Kancelari gjerman Olaf Scholz, foli në fillim të luftës për një ndryshim epokal të politikës së jashtme gjermane.
Por që atëherë Berlini është lëkundur në sjelljen e tij, dhe qeveria Scholz është dobësuar nga rezultati i dobët në zgjedhjet rajonale gjatë fundjavës së kaluar. Në SHBA, J.D Vance i mbështetur nga Donald Trump fitoi zgjedhjet në Ohajo për në Senat.
Pikëpamjet e tij mbi luftën në Ukrainë janë mjaft të prera: “Mendoj se është qesharake që jemi të fokusuar tek Ukraina. Unë duhet të jem i sinqertë me ju, nuk më intereson realisht se çfarë do të ndodhë me Ukrainën”.
Në kushtet e një inflacioni të shfrenuar, fraksioni i “Amerika e Para” në Partisë Republikane pritet të forcohet shumë gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor. Së fundi, Perëndimi duhet të nisë të shikojë përtej luftës, për të shpëtuar një marrëdhënie me Rusinë, e cila e mban derën e hapur për një bashkëpunimi qoftë edhe minimal.
Edhe nëse ka nisur një Luftë e Re e Ftohtë, dialogu do të jetë edhe më i rëndësishëm se sa ishte gjatë Luftës së parë të Ftohtë. Në një botë më të ndërvarur dhe të globalizuar, Perëndimit do t’i duhet të paktën një lloj bashkëpunimi pragmatik me Moskën, për të trajtuar sfidat e përbashkëta, si negocimi i kontrollit të armëve, ndalimi i ndryshimeve klimatike, menaxhimi i sferës kibernetike dhe promovimi i shëndetit global.
Për këtë arsye, dhënia shpejt e luftës përmes një armëpushimi dhe një zgjidhje e negociuar është shumë më e preferueshme se sa një luftë që zgjat, apo një konflikt i ri i ngrirë që përfundon në një ngërç të përgjakshëm. Kritikët e kësaj qasje thonë se çdo rezultat më pak se një disfatë totale do ta trimëronte Putinin.
Duke e lejuar atë të pretendojë një lloj fitoreje, dhe duke mbajtur kontrollin qoftë edhe të një pjese të vogël të Ukrainës, presidenti rus do të inkurajonte sulmin e radhës për grabitje territoresh. Po kështu, edhe Kina mund ta interpretojë çdo rezultat të dobët ndaj Rusisë, si një inkurajim për të testuar gatishmërinë e Perëndimit në mbrojtjen e Tajvanit.
Por pavarësisht se si do të përfundojë kjo luftë, Putini do të mbetet një udhëheqës ngatërrestar. Dhe ndaj tij janë vendosur tashmë sanksionet më se të mjaftueshme për të rritur kostot e çdo lloj aventurizmi të mëtejshëm. Ushtria ruse po lëkundet ndërsa ekonomia e vendit po tkurret.
Ukrainasit kanë refuzuar çdo të ardhme që përfshin nënshtrimin ndaj sferës së ndikimit të Moskës. Dhe agresioni rus ka nxitur Finlandën dhe Suedinë, vende më parë neutrale, të apikojnë zyrtarisht për anëtarësim në NATO, një aleancë që ka integruar më shumë se një duzinë vendesh (me rreth 100 milionë njerëz) që ishin dikur pjesë e bllokut sovjetik.
Putini është vendosura me shpatulla pas murit. Shtimi i presionit ndaj tij është i panevojshëm dhe i rrezikshëm. Dhe vështirë se Kina mund ta interpretojë goditjen kundër Rusisë – dhe sidomos shkëputjen e Rusisë nga ekonomia globale – si çdo gjë tjetër veçse një paralajmërim të fortë kundër ekspansionizmit të vetë Pekinit.
Pushtimi i gabuar i Putinit në Ukrainë nuk ka nxjerrë fitues, por një humbës të qartë: Rusinë. Edhe pse Perëndimi vazhdon t’i sigurojë Ukrainës mjetet për t’u mbrojtur, është koha qëdemokracitë e Atlantikut ta kthejnë fokusin e tyre drejt përfundimit të kësaj lufte./ Nga Charles A.Kupchan “The Atlantic”- Përktheu: Bota.al