Në seancën plenare të ditës së sotme, Presidenti Zelensky iu drejtua me një video-mesazh Kuvendit të Shqipërisë ku falënderoi vendin tonë që është në anë e lirisë, në anën e së vërtetës dhe në krah të popullit të Ukrainës, duke theksuar se duke punuar së bashku ne do të jemi në gjendje të ndalojmë këtë luftë që po ndodh në Europë.
 
Ndërsa, Kryeministri Rama, në fjalën e tij të mbajtur pas mesazhit të Presidentit të Ukrainës, tha: “I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre.”
 
 
“Jemi shumë afër për të qenë kaq larg”, -thatë ju me kënaqësinë e  dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë.
 
 
“Të gjithë e dimë tanimë, se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu skundër çdo ditë që kalon, me tmerret e reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes.” , tha Rama.
 
 
Kryeministri vijoi: “Por unë e besoj sinqerisht zoti President se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuar familjarisht do të bëhet realitet”
 
 
Në mbyllje të fjalës Kryeministri u shpreh: “Lejomi ta mbyll këtë fjalë duke ju shprehur në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë. Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike!”