Kryeministri Edi Rama ishte sot në bregdetin e Durrësit në kuadër të ndërhyrjes së fundit të forcave të ushtrisë për pastrimin e vijës bregdetare, në dhjetë ditët e fundit të majit.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se:” Besoj se ky do të jetë sezoni më i pastër, edhe për shkak të punës së jashtëzakonshme që është bërë edhe për shkak të suportit financiar që është vendosur për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare, të cilat përjetojnë në sezonin turistik shumëfishimin e popullsisë dhe një ngarkesë ekstra që nuk përballohet dot me tarifat normalë që kanë. Është thelbësore që të gjithë të marrin pjesë në këtë përpjekje, ku nëse nga ana e bashkisë ka përpjekje për ta pastruar, të tjerët duhet të jenë për të mos ndotur
Ky është elementi i parë i abetares së patriotizmit, të mos ndotim shtëpinë tonë. Do të vazhdojmë t’i rrimë mbi kokë kësaj pune, derisa të mbyllet gjithë sezoni, i cili me gjitha gjasat do të jetë edhe sezoni me fluksin më të madh dhe me konsumin më të madh.”
Për të mundësuar një Shqipëri të pastër e dinjitoze u ndërmor Plani Kombëtar i Pastrimit, i cili nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe ka përfshirë të gjithë territorin e vendit nga veriu deri në jug.
Plani i pastrimit ka vijuar pa u ndalur për muaj me radhë në çdo cep të territorit, sepse nuk është një aksion por një operacion sistematik e i gjatë, të cilit i duhet shkuar deri në fund.
Ndonëse sezoni turistik nisi zyrtarisht në maj, puna ka filluar që në tetor në një bashkëpunim të ngushtë midis instancave bashkiake, ministrive, subjekteve private dhe qytetarëve.