“Kemi plane të përbashkëta dhe shumë të dobishme reciprokisht dhe na duhet vetëm që të ecim përpara me shpejtësi dhe të përfitojnë nga këto plane, nga fakti që mund të shkëmbejmë energji duke qënë se kemi burime të natyrave të ndryshme, ne jemi hidro 100 %, Greqia është gaz, është termo”.
Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në një prononcim për kanalin televiziv grek ERT, që ndoqi nga afër vizitën në Tiranë të Ministrit grek të Energjisë dhe Mjedisit, Kostas Skrekas.
Rama shton se “ishte një kënaqësi e madhe që u takuam, që prita Ministrin së bashku me delegacionin”, teksa në fokus të takimit ishin planet konkrete të bashkëpunimit në sektorin energjetik.
Kanali televiziv publik i shtetit fqinj ka pasqyruar edhe deklaratën e Ministres shqiptare të Energjisë, Belinda Balluku e cila thotë se “kemi diskutuar për sa i përket mundësive të investimeve që pala greke mund të bëjë në territorin shqiptar, sa i përket burimeve të reja energjitike, sigurisht flasim mes nesh për burime të gjelbërta energjetike”.
Për “ERT” ka folur edhe Ministrja shqiptare e turizmit, Mirela Kumbaro, pas takimit në zyrën e saj me ministrin grek.
“Turizmi është gjithashtu një temë që ne e ndamë sepse mjedisi dhe zonat e mbrojtura janë po ashtu një atraksion turistik dhe duhet t’i mbrojmë, por duhet edhe në mënyrë të qëndrushme t’i zhvillojmë”, tha Kumbaro.