Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastiliu, në ceremoninë e dhënies së 11 fëmijëve të parë statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Në fjalën e tij, Kryeministri, mes të tjerash, theksoi se sot, programet për fëmijët në nevojë janë në fokus të politikave sociale të qeverisë shqiptare, ku aktualisht përfitojnë prej tyre rreth 140 mijë fëmijë.
Janë mbi 80 mijë fëmijë që marrin ndihmë ekonomike dhe rreth 5200 studentë nga familje me ndihmë ekonomike që përfitojnë nga tarifat përjashtuese dhe bursat e studimit. Nga programi i “Bonusi i Bebeve” kanë përfituar në total më shumë se 115 mijë fëmijë prej janarit të vitit 2019, kur nisi zbatimi i tij.
Para pak ditësh, Këshilli i Ministrave miratoi edhe paketën e programit kombëtar, parashikuar në buxhetin e shtetit për 2022, në shëndetësi për kujdesin e shikimit të fëmijëve. Nga ana tjetër, ka nisur edhe një rrugë tjetër, ajo e hapjes së posteve për kujdesin dentar të fëmijëve nëpër shkolla.
Me tej Rama shtoi: “Të gjitha këto, janë jo për të thënë se kemi bërë ndonjë mrekulli, por thjesht për të nënvizuar se në aspektin e zgjerimit të mbështetjes sociale kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë një transformim rrënjësor qoftë në masën financiare, qoftë dhe në numërin e njerëzve që preken nga kjo mbështetje, për të cilën jemi kryelartë përpara gjithë shqiptarëve.” “Ja, ku jemi sot në rastin e dhënies së mbështetjes për fëmijët e heronjve, dëshmorëve, prindërve të vetëmohuar për një qëllim të lartë, të cilët, mbase duhet ta kishin marrë kohë më parë këtë mbështetjet, por e marrin në fillim të mandatit të tretë”, tha kreu i qeverisë.
Më tej Rama vijoi duke shtuar se jo për të justifikuar, por për të nënvizuar faktin, dua të mbyll duke thënë dy gjëra: “Së pari, qeverisja është një proces nëpërmjet të cilit ne mësojmë çdo ditë, kuptojmë çdo ditë e më thellë, dhe ndiejmë çdo ditë e më shumë pulsin e shoqërisë, duke u përpjekur që çdo ditë të përmirësohemi dhe të bëjmë edhe më mirë.
Së dyti, përtej dëshirave tona qëndron muri i pamundësisë, të cilin duhet ta shtyjmë çdo ditë me shumë durim dhe me shumë forcë në mënyrë që të zgjerojmë hapësirë e mundësive.”