Projekti për portin e ri të Durrësit u prezantua sot gjatë një takimi të Kryeministrit Rama në zyrën e tij me projektuesit holandezë të kësaj vepre.
“Porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, pra këtu ka mundësi që ju të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor.” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.
Kryeministri Rama tha se qëllimi ishte pikërisht transformimi i infrastrukturës së vjetër në një port model si një ndër shtyllat e vizionit Shqipëria 2030.
“Saktësisht ky ishte qëllimi, prandaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste, nuk kishte kapacitete për t’u zgjeruar, nuk kishte lidhje, nuk kishte asgjë. Ndërkohë që porti i ri ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, – u shpreh Kryeministri, teksa vlerësoi se “zgjatimi i Portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”.
Ndërkohë që edhe për grupin projektues, ecuria e projektit është premtuese.
“Është mjaft interesante sepse ne nisëm vetëm me këtë detyrë me ekipin dhe gjatë punës u bëmë shumë entuziastë, lidhur rentabilitetin dhe mundësitë e projektit, kështu që ka një entuziazëm në rritje dhe brenda ekipit.” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.
Porti i ri Turistik i Durrësit do të nisë shumë shpejt punimet dhe për 6 vite do të ketë përfunduar duke u kthyer në zemrën e turizmit shqiptar dhe një forcë e madhe për ekonominë shqiptare. Proojekti është i ndarë në 5 faza dhe për 6 vite do të jetë i prekshëm për të gjithë. Pritet të hapen 4 porta në bregdetin tonë nga Adriatiku në Jon.