Turistët e huaj kanë zgjedhur këtë sezon turistik, të kalojnë pushimet në Durrës, më shpejt se çdo sezon tjetër. Kryeministri Edi Rama duke iu uruar qytetarëve mirëmëngjes, publikoi sot një video nga mbërritja e turistëve të huaj në Durrës. “Mirëmëngjes dhe me prurjet në rritje të turistëve të huaj, që më shpejt se çdo sezon tjetër kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Durrës, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Rama.
Në portin e Durrësit, më i madhi në vend janë ndalur 825 turistë të huaj vetëm me kroçiera turistike gjatë muajit prill.
Autoriteti Portual Durrës ka bërë të ditur se heqja e kufizimeve të pandemisë dhe rikthimi gradual drejt normalitetit, po afron gjithnjë e më shumë turistët e huaj drejt vendit tonë gjatë këtij fillim sezoni turistik. Në portin e Durrësit, gjatë muajit prill 2022 janë ndalur 4 kroçera, e fundit ishte “Monet” që u ankorua në 26 prill. “Bukuroshja e Adriatikut” që çeli këtë sezon turistik është ndalur dy herë brenda muajit në portin e Durrësit, më pas vijoi kroçera “INSIGINA” dhe “Monet”, që erdhi nga Kotori dhe e vijoi lundrimin në Korfuz, të cilat sollën në total 825 turistë gjatë këtij muaji.
Turistët e huaj pas mbërritjes në portin e Durrësit nisen të organizuar me autobusë drejt qyteteve të Tiranës dhe Krujës, ndërsa qëndrojnë edhe në Durrës për të vizituar qendrat muzeale dhe arkeologjike.