Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik Jonaid Myzyri, raportoi ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të vitit 2021. Gjatë fjalës së tij në Komisuion ai tha se viti 2021 ishte një vit shumë i rëndësishëm për sistemin e prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht në tri aspekte.
Së pari, viti që lamë pas ishte një vit shënues dhe kthese për mënyrën e ofrimit të shërbimeve nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik. Projekti i digjitalizimit të plotë të shërbimeve, i nisur në vitin paraardhës, u arrit të finalizohej me sukses. Së dyti, hyrja në fuqi e ligjit të ri për prokurimin publik, ka sjellë një moment të rëndësishëm për sistemin në tërësi. Së treti, viti i kaluar ka qenë një vit i rëndësishëm edhe për vlerësimin në aspektin ndërkombëtar të prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht të punës së Komisionit të Prokurimit Publik. Në raportin e SIGMA-OECD për “Reformat e mirëqeverisjes dhe Administrimit Publik”, për vitin 2021 theksohet, se performanca e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) është përmirësuar ndjeshëm, ku fokusi vendoset te sistemi i ri i apelimit elektronik, rritja e shpejtësisë së vendimmarrjes dhe faqja e re Uebit,” u shpreh Myzyri.
Në raportin e vitit 2021 sistemi i trajtimit të ankesave në Shqipëri, ka marrë vlerësimin maksimal 5/5, vlerësim i rritur ndjeshëm në krahasim me vlerësimet e viteve paraardhëse.
“Në total pranë Komisionit të Prokurimit Publik, janë paraqitur ankesa për 566 procedura unike, ose për 9.2 % të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar. Nga 768 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) ankesa, 298 prej tyre ose rreth 38.8 %, janë ankesa të paraqitura për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit dhe 470 ankesa ose rreth 61.2 % e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave,” u shpreh ai.
Në këtë periudhë KPP-ja, ka marrë tri masa administrative gjobë për titullarët e autoriteteve kontraktore, ka dërguar për hetime të mëtejshme tri çështje pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe për hetime administrative njëmbëdhjetë çështje pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.