Kryebashkiaku ErionVeliaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, foli për reagimet që i kanë ardhur pas organizimit të finales së madhe të “Conference League” në Tiranë. Ai vuri theksin te fakti se Tirana tregoi që është një kryeqytet europian.
“Ne patëm një vlerësim nga shefi i misionit të UEFA-s. Tirana arriti të ishte e pastër, të kishte hare, të kishte energji, të merrte maksimumin e vëmendjes botërore, dhe të dilte pa asnjë incident madhor. Frika ishte shumë e madhe, për shumë prej grupeve të tifozëve nga Roma dhe Roterdami, por ja dolëm me sukses. Nesër do të kemi kampionatin e “Triathlon”, ku përfshihen gara olimpike në not, në çiklizëm dhe në vrap. Sot mund të themi me dinjitet dhe pa modesti se jemi një kryeqytet europian. Stekën e kemi ngritur lart, por duhet ta mbajmë”, pohoi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se heronjtë e vërtetë që bënë që çdo gjë të ishte në rregull ditën e ndeshjes, dhe jo vetëm, ishin efektivët e policisë, punonjësit e terrenit të Bashkisë së Tiranës dhe vetë qytetarët.
“Heronjtë e Tiranës janë policët, janë qytetarët; secili qytetar tha: në qoftë se Lali më kërkoi që të mos e përdor makinën atë ditë, që t’i kursej qytetit 20 metra katrorë, ky është heroizmi im. Unë përkulem me respekt për pastruesit e Tiranës, ndaj çdo njeriu që merr fshesën në dorë, ose autobotin apo makinën teknologjike me vakum për plehrat. Fakti që qytetarët dolën atë ditë në mëngjes, edhe tek parku i Liqenit ku ishin tifozët e Romës, por edhe në pedonale, apo në zonën rreth stadiumit, dhe nuk gjetën asnjë papastërti, do të thotë se ne e kemi mbërritur nivelin e dinjitetit urban, të krahasuar me shumë qytete evropiane”, përfundoi Veliaj.