Rritja e çmimeve për produktet ushqimore bazë në Kosovë ka arritur në 11.2 për qind, si kurrë më parë. Për këtë “fluturim” të çmimeve ka pasur reagime të shumta nga opozita. Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se me shqetësim të thellë po e përcjellin rritjen rekorde të çmimeve. Kurse, Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar duke thënë se inflacioni i çmimeve ka shënuar rekord të zi. Rritja e çmimeve për produktet ushqimore bazë në Kosovë nga prilli i vitit të kaluar është rritur 11.2 për qind, thuhet në raportin e ri të Agjencisë së Statistikave. ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit për muajin prill 2022 është rritur 1.5 për qind.
Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, prill 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind. “Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.5 për qind në muajin prill 2022, krahasuar me muajin mars 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te buka dhe drithërat me 1.2 për qind, mishi me 3.6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 0.9 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, pemët me 1.5 për qind, perimet me 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 2 për qind”, thuhet në raport./Monitor