Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi lidhur me qarkullimin me një drejtim kalimi përgjatë rrugës së Rinasit deklaroi sot se “kemi bërë një zgjidhje të mirë të lëvizjes së trafikut”.
Në një prononcim për mediet, Berberi theksoi se “pengesat më të mëdha janë për ata që humbin avionin duke lejuar përdorim një sens. Ka rrugica që mund të përdoren nga komuniteti aty për të lëvizur”.
Sipas tij, kjo rrugë ka fluks trafiku për shkak të turistëve të shumtë, do shtohet me 30 % fluksi.
Kreu i ARRSH-së u shpreh se “mbas sezonit do ketë zgjidhje definitive. Nuk do zgjerohet rruga, por po punojmë për të pasur një rrugë alternative që presim ta përfundojmë deri në përfundim të sezonit”.
Ai shtoi se tenderi për rrugën alternative do hapet këtë muaj.
Banorët e Rinasit kanë organizuar sot një protestë, për të shprehur mosdakordësinë e tyre kundër vendimit të marrë nga ARRSH në lidhje me qarkullimin me një drejtim kalimi përgjatë rrugës së Rinasit.
Banorët bllokuan rrugën për disa minuta, teksa disa prej tyre u ulën në mes të rrugës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit. Për shkak të protestës është shkaktuar trafik në drejtimin e lëvizjes që të çon drejt aeroportit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore vendosi që për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë-Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Ndërsa mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë-Krujë-Vorë-Qafë-Kashar-Aeroport.