Perëndimi e ka fituar tashmë luftën në Ukrainë. Përpjekja e Rusisë për të gllabëruar Ukrainën ka dështuar. Ushtria e saj është testuar, dhe kanë dalë në pah dobësitë e saj të mëdha. Populli ukrainas ka treguar pa asnjë dyshim se liria nuk dhurohet por fitohet.
Evropianët u tubuan rreth një politike të përbashkët për të mbështetur Ukrainën, duke shfaqur jo vetëm gatishmërinë e tyre për të paguar një kosto ekonomike, por duke sinjalizuar se ata nuk ishin të gatshëm të lejonin një kërcënim ndaj lirisë së një vendi fqinj. Amerikanët u angazhuan me një ndihmë ushtarake shumë të madhe.
Tani ka ardhur koha të bëjmë paqe, jo nga një pozicion dobësie, por nga një pozicion force. Presidenti Vladimir Putin dhe ata që sundojnë Rusinë, e dinë shumë mirë se si janë rezultatet e luftës aktuale. Atyre nuk u pëlqejnë ato, dhe duan të dalin nga situata katastrofike e krijuar nga pamaturia e tyre.
Por nuk duan që ta bëjnë këtë si një fuqi e poshtëruar. Në fundin e viteve 1940, George Kennan këshilloi ndjekjen e strategjisë së kontrollit për t’u përballur me sfidën e komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik. Funksionoi. Tani rruga që duhet ndjekur është pikërisht e kundërta: integrimi i Rusisë në një sistem evropian apo ndoshta edhe global, që në vend se të drejtohet kundër Moskës, duhet të përfshijë shqetësimet e saj të sigurisë, ndërkohë që ajo duhet ta pranojë se fqinjët e saj kanë një lloj frike të rrënjosur nga një e kaluar e dhimbshme.
Topi tashmë është në fushën e Evropës, edhe pse shteti-komb i sotëm i Ukrainës ka të ngjarë të mos ekzistonte pa ndihmën e SHBA-së. Megjithatë, problemi është se e ardhmja e Evropës nuk duhet të pengohet nga e kaluara. Vetëm një arkitekturë e re evropiane e sigurisë mund të parandalojë që të ndodhë sërish diçka e ngjashme.
Dhe në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol më të vogël. Rusia është një komb evropian, dhe për shekuj me radhë e ka vënë në pikëpyetje rolin e saj në apo përballë Evropës. Fatkeqësisht, përgjigja për këtë nuk u gjet kurrë. Ndoshta tani ka ardhur koha që të gjendet një e tillë.
“Babai” i Bashkimit Evropian, Jean Monnet, shkroi në kujtimet e tij “Evropa do të farkëtohet përmes krizave, dhe do të jetë shuma e zgjidhjeve të zbatuara për ato kriza”. Deri më sot, ky parashikim ka rezultuar i saktë. Kriza që shkaktoi Rusia e ka detyruar Bashkimin Evropian të shtërngojë radhët e tij kundër kërcënimeve të jashtme dhe të ri-zbulojë rëndësinë e mbrojtjes së modelit të saj shoqëror, nëse duhet edhe me mjete ushtarake.
Nuk ka asnjë dyshim që rrugës do të ketë kundërshtime dhe argumente ndryshe, dhe jo të gjithë anëtarët aktualë të BE-së mund të qëndrojnë në kursin e përbashkët. Madje, shtetet e tjera jo-anëtare mund të ndihen të tunduara që të pranojnë një anëtarësim jo të plotë në BE, gjë që mund të jetë shumë e rëndë për vendet me ekonomi më pak të zhvilluara.
Por tanimë duhet të jetë e qartë se siguria evropiane nuk mund të krijohet me ndjenjën e një Rusie të mënjanuar, izoluar dhe nën kërcënimin e mundshëm të Perëndimit. Megjithatë, mënjanimi dhe shkëputja nga Evropa nuk i shërben interesave të Rusisë. Përkundrazi, problemi kryesor i sigurisë së Rusisë gjendet në Lindje, në Azinë Qendrore, përballë shteteve në Kaukaz, dhe jo në Evropë.
Brenda vendit duhet të adresohet pakënaqësia e shprehur nga popullsia e saj e madhe myslimane. Në aspektin politik, kriza e Ukrainës e bëri të domosdoshme ndërprerjen e lidhjeve të BE-së me Rusinë. Por në aspektin ekonomik kjo nuk ka kuptim. Rusia mbetet një partnere e madhe energjetike për Evropën.
E njëjta gjë vlen edhe për transportin, ku lidhjet tokësore ruse me Azinë mund të luajnë një rol të rëndësishëm për atë vetë, BE-në dhe Kinën. Këtu pengesa kryesore është e kaluara e Rusisë, si një superfuqi dhe një perandori. Megjithatë, vende të tjera evropiane kanë arritur të përballen me probleme të tilla. Në rrafshin konceptual, nuk ka asnjë ndryshim midis Perandorisë Ruse dhe asaj britanike apo Franceze.
Britanikët dhe francezët e menaxhuan shumë mirë tranzicionin. Ata e bënë këtë me kosto relativisht të ulëta, me humbje jo të sikletshme të prestigjit, dhe pa prishur strukturat e tyre sociale dhe politike. Franca iu afrua humnerës rreth vitit 1960 kur u përball me revoltën në Algjeri, por e kaloi momentin kritik.
Që nga ajo kohë, Parisi dhe Londra janë përpjekur të bashkojnë fuqinë e tyre aktuale me prestigjin e dikurshëm. Franca e bëri këtë duke luajtur një rol të madh në formësimin e BE-së. Britania u përpoq të bënte të njëjtën gjë, por pa se kjo ishte e papajtueshme me historinë e saj të kaluar.
Rusia është sot vendi ku ishin Britania dhe Franca në vitin 1960. Tani është radha e Moskës që t’i shohë gjërat ashtu siç janë, dhe jo si do të donte që të ishin. Që nga viti 1991 nuk është arritur shumë. Struktura bazë ekonomike dhe modeli politik u transplantuan, edhe pse me etiketa të tjera, por ajo ruan ende një ekonomi komanduese dhe një qeveri autokratike.
Mendimi i popullit rus, të paktën për ata që janë mbi 30-vjeç, është i njëjtë. Presidentët Boris Yeltsin dhe Vladimir Putin u lejuan që ta fshinin këtë fakt. Por lufta në Ukrainë e ka demaskuar në një mënyrë të pamëshirshme. Reformat në këtë vend, mund të kryhen vetëm duke ripërcaktuar Rusinë nga perandori në statusin e një shteti-komb.
Sigurisht është e dhimbshme, pasi nënkupton humbjen e prestigjit. Por nga ana tjetër krijon perspektivën e ofrimit të një standardi jetese në rritje për popullsinë ruse, dhe u jep udhëheqësve të saj një trashëgimi të krahasueshme me rusët e mëdhenj përgjatë shekujve.
Pengesat flasin vetë.
Brenda Federatës Ruse, mund të ketë ende republika që ushqejnë ambicie për t’u shkëputur. Vetëm 81 për qind e 145 milionë banorëve të saj janë rusë etnikë, gjë që e bën filozofinë bazë të Rusisë dhe Kishës Ortodokse si shumë të vështirë për t’u pajtuar me realitetet.
Fqinjët e perceptojnë atë si ish-Perandoria Ruse dhe Sovjetike që hedh peshën e saj, duke lëshuar kërcënime të llojeve të ndryshme dhe jashtë lidhjes me realitetin. Nëse do të ketë sukses, Rusia mund të jetë një shtet-komb i vërtetë që jeton në paqe me veten dhe fqinjët e saj.
Një anëtare e vërtetë e familjes evropiane, një synim që u ndoq më kot nga disa carë. Përfitimet për Rusinë do të ishin të mëdha: Moska do të kishte mundësin jo vetëm të reduktonte shpenzimet e saj për mbrojtjen, por rialokimi i parave në pjesët më të varfra të vendit do të shmangte rrezikun e shkëputjes së tyre.
Duke pasur parasysh dyshimin e ndërsjellë, do të duhet kohë për të arritur në atë fazë. Si Rusia po ashtu edhe Evropa do të këmbëngulin të kenë aftësi mbrojtëse, të cilat do ta pengojë tjetrin të ndërmarrë hapa “aventureske”. Nga pikëpamja evropiane, një prani e vazhdueshme ushtarake e SHBA-së është e domosdoshme të paktën deri në pikën kur të jetë e besueshme një mbrojtje evropiane, ndoshta për një dekadë, apo ndoshta edhe më gjatë.
Arsenali bërthamor rus, që e tejkalon gjithçka që evropianët mund të arrijnë të ndërtojnë, mund të neutralizohet vetëm përmes angazhimit të Amerikës në Evropë. Parë nga këndvështrimi i SHBA-së, një strategji e tillë ka meritat e veta. Përveç arsenalit të saj bërthamor, Rusia nuk paraqet ndonjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Mund të jetë vërtet një telash për vende të caktuara anembanë globit, por Moska është larg nga të qenit një sfidë siç përbënte dikur Bashkimi Sovjetik.
Thelbi i një politike të tillë për Evropën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, është që të lëvizin drejt një lloj ekuilibri ushtarak, duke siguruar që asnjëri prej tyre të mos mundet të nisë një sulm ushtarak kundër disa shteteve kombëtare evropiane me ndonjë shans për të pasur sukses.
Nëse kjo gjendje arrihet dhe zgjat për 1 ose 2 dekada, mund të krijohen edhe kushtet për fillimin e integrimit të Rusisë në Evropë. Alternativa e vetme ndaj kësaj është një Rusi që mbetet përgjithnjë jashtë ekuilibrit, dhe që vazhdon të ushqejë ëndrra të cilat nuk mund të përmbushen për rikthimin e një të kaluare “të lavdishme”, e cila në fakt nuk ka qenë kurrë e tillë, duke kërcënuar njerëzit e saj dhe kombet fqinje. Kjo e fundit është që pasoi shtetin rus dhe qasjen SHBA-BE vitit 1991. Rreziqet për të provuar diçka tjetër, duket të jenë më të ulëta në krahasim me qasjen e deritanishme.
Shënim: Joergen Oerstroem Moeller, ish-sekretar shteti për Ministrinë e Jashtme Mbretërore Daneze, dhe autor i librit “Transformimi i Azisë:Nga globalizimi ekonomik tek rajonalizimi”. abcnews/