Gjermania do të mbështesë pranimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake të NATO-s, u tha krerëve të qeverive respektive kancelari gjerman Olaf Scholz. Sanna Marin dhe Magdalena Andersson, kryeministrat e Finlandës dhe Suedisë, morën pjesë dje në një takim të kabinetit gjerman në Meseberg. “Është e qartë se nëse këto dy vende duhet të vendosin se duan të jenë pjesë e aleancës së NATO-s, ato mund të llogarisin në mbështetjen tonë”, tha Scholz.
Të dy vendet po shqyrtojnë hyrjen në aleancën e mbrojtjes si rezultat i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tashmë u ka premtuar atyre pranim të shpejtë nëse aplikojnë.
Marin theksoi se sulmi rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar plotësisht situatën gjeopolitike në Evropë duke thënë se nuk ka “kthim mbrapa”. “Të gjitha opsionet janë në tryezë”, tha Andersson në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të vendit të saj në NATO.
Pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, sondazhet në Suedi dhe Finlandë kanë treguar një rritje të mbështetjes për anëtarësimin në NATO. Edhe parti të ndryshme në parlamentet e vendeve respektive kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre për një aplikim.