Inflacioni i produkteve ushqimore ka arritur nivelin e tij më të lartë në 13 vitet e fundit – me pothuajse një të katërtën e blerësve që po përpiqen të përballojnë bukën e gojës, sipas të dhënave të industrisë britanike, raporton “Sky News“.
Kantar Worldpanel, i cili ofron të dhëna në të gjithë sektorin e ushqimeve, thotë se inflacioni i produkteve ushqimore u rrit me më shumë se 1% gjatë periudhës së fundit të raportimit duke arritur në 7%.
Sipas tyre inflacioni në supermarkete ishte rritur në 7% nga 5.9% vetëm një muaj më parë.
Por duket se problemi i inflacionit të ushqimeve nuk ka arritur kulmin, shtuan ata.
Fraser McKevitt, kreu i shitjes me pakicë dhe konsumatorit në Kantar, tha: “Njerëzit me të vërtetë po ndiejnë rritjen e çmimieve në dyqane dhe supermarkete dhe atyre u duhet menaxhojnë buxhetin e tyre për të përshtatur çmimet në rritje. Brenda grupit në rritje të blerësve që luftojnë për të përballuar jetesën, çmimi në rritje i sendeve ushqimore është shqetësues për mbi nëntë në 10 persona, duke e bërë atë çështjen e dytë më të rëndësishme pas kostos spirale të faturave të energjisë” , tha ai.
Boris Johnson tha të hënën se qytetarët “thjesht duhet të presin edhe pak” për lajmet e paketës së fundit të mbështetjes.
Ai nuk ka përjashtuar një taksë mbi fitimet e kompanive të energjisë për të ndihmuar në subvencionimin e faturave me të cilat përballen konsumatorët.