Ora 16:00 e ditës së sotme përmbylli edhe afatin zyrtar të pranimit të kandidaturave për Presidentin e ri të Republikës.
Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se nuk ka asnjë kandidaturë të regjistruar, teksa të hënën në orën 17:00 do të mbahet edhe raundi i parë për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.
Socialistët i mbajnë ende diskrete emrat e propozuar në zarfe, ndërkohë që opozita është e përfshirë në dy grupe paralele negociatorësh të cilët do të kenë si qëllim nxjerrjen e një apo disa kandidaturave konsensuale që do të kërkonin edhe votat e shumicës.
Megjithatë, raundin e parë për Presidentin, socialistët dhe demokratët e konsumuan pa asnjë kandidat.
Kushtetuta ka parashikuar që tre raundet e para të zhvillohen me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit Presidenti i Republikës mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ku mazhoranca i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme Presidentin.
Taulant Balla deklaroi pas negociatave këtë fundjave se qëllimi i PS është të shkojë drejtë një emri konsensual me opozitën, ndërkohë që aleatët e PD kërkojnë që ndryshe nga propozimi i Enkelejd Alibeajt, kreu i ri i shtetit të jetë një profil politik.