Të rinjtë shqiptarë e kanë nderuar sërish vendin tonë në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit. Këtë herë, Dean Çelaj, një prej të rinjve të talentuar është përfshirë në listën e revistës prestigjoze “Forbes” në hapësirën e 30 njerëzve më të suksesshëm nën moshën 30 vjeç.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila me anë të një postimi në Facebook, ka përshëndetur arritjen e Deanit dhe shkruan se ndihet krenare për të rinjtë e vendit.
Ndër të tjera, ministrja shkruan se i riu shqiptar përfundoi studimet në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit në University College London me rezultate të shkëlqyera.
Përsa i përket arritjeve të Deanit, ministrja thotë se gjatë pandemisë, ai krijoi platformën “Akademi.al” ku ndihmoi mbi 500 mijë nxënës që të aksesonin mësimin online falas.
*Postimi i ministres Elisa Spiropali:*
Krenarë për të rinjtë tanë. Dean Çelaj është inovatori i talentuar shqiptar, i përfshirë në listën e revistës prestigjoze “Forbes” në hapësirën e 30 njerëzve të suksesshëm nën 30 vjeç (30 under 30).
Përmes një burse të “Fondit të Ekselencës”, ai përfundoi shkëlqyer studimet në Teknologji Informacioni në University College London me medalje “First Class Honours”.
Deani është krijues i shumë projekteve teknologjike ndërkombëtare në bashkëpunim me universitetin e Harvardit. Gjatë pandemisë COVID-19, nëpërmjet platformës “Akademi.al” ndihmoi mbi 500,000 nxënës të aksesonin mësimin online falas.