Përfaqësuesi i Lartë i BE mbi Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, ka bërë me dije se të gjitha shtetet e bllokut do të mbështesin Finlandën dhe Suedinë për t’u bashkuar me NATO-n.
Një deklaratë të tillë kryediplomati europian e bëri në një prononcim për mediat para takimit të këshillit të punëve të jashtme të BE-së.
“Përfaqësuesit e BE-së do të diskutojnë synimet e të dy vendeve nordike për t’u bashkuar me aleancën, për të cilën ata do të marrin mbështetje të fortë. Ata do të marrin një mbështetje të fortë, jam i sigurt se nga të gjitha vendet anëtare, sepse kjo rrit unitetin tonë dhe na bën më të fortë”, u tha Borrell gazetarëve përpara një takimi, duke shtuar:
Ai shtoi se shpreson që NATO do të kapërcejë kundërshtimet e Turqisë ndaj ofertës së Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me aleancën.
“Jam i sigurt se këshilli do të mbështesë jashtëzakonisht… anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO. E di që Turqia ka bërë disa kundërshtime. Shpresoj se NATO do të jetë në gjendje t’i kapërcejë ato”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, tha se vendi i tij dhe Suedia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Turqinë mbi objektivat e saj.
“Deklaratat nga Turqia kanë ndryshuar shumë shpejt dhe janë bërë më të vështira gjatë ditëve të fundit. Por jam i sigurt se me ndihmën e diskutimeve konstruktive do ta zgjidhim situatën”, tha Niinistö në një fjalim në parlamentin e Suedisë.