Nga Arbër Hitaj/
Ka një riaktivizim të vrullshëm të opozitës pas “fitores” plebishitare në zgjedhjet e pjeshme të 6 marsit. Akuzat për korrupsion ndaj qeverisë të mbështetura një pjesë në raportin e DASH, hartuar nga një pjesë e ambasadës e pa “blerë” nga Edi Rama, po përsëriten pothuajse përditë nga foltoret e familjes Meta- Kryemadhi dhe PD e komisionit të rithemelimit Berisha.
Në pamje të pare, çdo gjë duket ose shitet sikur ka shkuar në vendin e vet, pas ikjes me turp të Lulzim Bashës. Mazhoranca vijon projektet dhe gabimet, opozita e fortë bën të vetën për t’ja shkurtuar ditët. Por nëse gërvish pak sipërfaqen shikon se në opinion pothuajse në çdo sondazh apo anketim, apo qoftë dhe bisedë, opozita perceptohet njëjtë e korruptuar me qeverisjen madje më keq, edhe pse 8 vite nuk është në pushtet. Mbështetja vijon të jetë në parametra të ulët.
Por çfarë nuk shkon me këtë opozitë. Gënjeshtrat e LSI dhe Kryemadhit po marrin dimesione të papara ndonjëherë. Këtë fundjavë ajo takoj disa të rinj, duke “peshkuar” brezin e shërbëtorëve për disa vite që vijnë. Është taktikë e njohur e çiftit presidencial, merri të rinj naivë, përdori disa vite dhe kur i shikon që janë mjaftueshëm të rritur, largoj, nuk duhet më. Janë disa gjenerata që në fakt janë djegur nga kjo qasje mashtruese e drejtuesve të LSI.
Në takim Monika, ju tha të rinjve se: nuk duhet të ikin, edhe pse duket si zgjidhja më e mirë. Madje, edhe ajo vetë me një sinqeritet prej ‘adoleshenteje’ pranoj se e kishte patur gjithashtu si ide për tu larguar! Sa cinike apo jo?! Po cili është profesioni i çiftit presidencial, ku do të punonin ata kur nuk kanë asnjë lloj profesioni. Ndërkohë në Shqipëri kanë miliona nëpër banka dhe pasuri marramëndese të pajustifikuar. Por pavarësisht këtyre mendimeve dhe zhgënjimit nga kjo politikë për të cilën nuk ka fare përgjegjësi, pasi ka qenë një zë i ‘pavarur’, Monika dhe Iliri zgjodhën të qëndrojnë dhe të luftojnë për të gjithë ne! Lavdi dëshmorëve të Gjirit të Lalzit! Kështu tha Monika e futur në politikë vetëm së fundmi!
Por tallja vijoj më tej, me akuzat ndaj sistemit të arsimit, për të cilin premtoj se do ta ndryshojnë të rinjtë në komandën e saj. Me një ndryshim, lufta e Monikës u bë duke shkolluar fëmijet në shkollat e Anglisë me shpenzime që prindërit e atyre që e dëgjonin në sallë, nuk i bëjnë dot as në dy jetë.
Situata e njëjtë edhe në komisionin e rithemelimit. Kundër korrupsionit kanë dalë figura që edhe pse prej vitesh në opozitë numërojnë vila, pasuri përrallore në banka. Ish ministra, ish zëvëndës ministra, ish deputetë, ish drejtorë e familjarë të tyre, po luftojnë përditë me përbindëshin e kurrupsionit. Luftë epike! Asnjë viktimë!
Vetëm në Shqipëri, mund të gjesh politikanë të papunë prej vitesh pa asnjë angazhim apo pasuri familjare që të lundrojë në pusuri, dhe më cinikja të mbajë pishtarin e antikorrupsionit në dorë! Këta aktorë dinakë, e dinë shumë mirë kë shikojnë në pasqyrë sa herë përballen me të, por luftën e bëjnë me një qëllim, të vijojnë të mbajnë prej fyti sistemin, që e kanë kapur prej dekadash. Është një pakt i heshtur dhe hapur shpesh herë si në datën 6 mars për të shpëtuar dhe kthyer nderet njëri-tjetrit.
Problemi nuk qëndron te tezat apo ato që dalin nga foltoret e opozitës, por ata që i thonë, të zhytur në korrupsion dhe të rrethuar nga të korruptuar. Kjo është arsyeja se pse shqiptarët nuk shikojnë shpresë te kjo opozitë! Kjo është arsyeja që kjo opozitë e ka mbyllur misionin e vetë përballë shqiptarëve, por jo kundër bosëve që i drejtojnë. (Shqiptarja.com)