Përshkallëzohet përçarja dhe kriza në Partinë Demokratike, e cila që në 10 shtator të 2021, ka hyrë në një spirale të paprecedentë ndarje, grupesh kundërshtare, dublimi, strukturash paralele, shkarkimesh të ndërsjella, betejash fizike, gjyqësore, verbale etj. Nëse vendimi i Lulzim Bashës për t’u distancuar nga Sali Berisha pasi shpall non grata nga SHBA, e ndau PD-në në dy grupe kundërshtare në një godinë, ditët e fundit ka nisur të kristalizohet edhe një grup i ri në selinë blu. Grupi i ri përbëhet nga disa deputetë, të cilët nuk janë as me ‘Rithemelimin’ e Sali Berishës, por as me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeajn, i cili njihet nga SHBA-BE, qeveria dhe institucionet.

Grupi nisi të identifikohet pasi bojkotoi mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, thirrur nga Alibeaj, për zgjedhjen e presidentit, axhendën parlamentare etj.. Në mbledhjen e thirrur nga Alibeaj mungonin Lulzim Basha, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Alfred Rrushaj, Flutura Açka, Ramadan Lika, Fation Veizaj, Helidon Bushati, Greta Bardeli dhe Zef Hila.

Grupi nuk mund të konsiderohet si linjë e Bashës, pasi kanë munguar edhe Ervin Salianji, Grida Duma, Kasem Mahmutaj, Xhelal Mziu, Tomorr Alizoti dhe Ina Zhupa, të cilët janë pozicionuar hapur kundër Bashës.

Por tashmë ka dyshime të forta edhe për një krisje të mundshme mes Lulzim Bashës dhe rrethit të tij me Enkelejd Alibeajn, i cili ka qenë protagonist javët e fundit. Fillimisht perceptimi ishte se Enkelejd Alibeajn u zgjodh në krye të PD si dora e Lulzim Bashës, i cili la të kuptonte se do të rikthehej përmes garës. Gjithashtu, ‘Rithemelimi’ i Berishës, që pretendon se është PD-ja e vërtetë, e akuzon Alibeajn si lojë të Lulzim Bashës dhe Ramës. Por zhvillimet në terren flasin për një distancim mes Bashës dhe Alibeaj, ku mbetet për t’u parë nëse është real apo taktik.

Nga ana tjetër, vijon grupi i ‘Rithemelimit; vijon të ketë 15 deputetë besnikë. Lista kryesohet nga Sali Berisha, i cili ka sinjalizuar se do të bëhet kryetar i PD-së së tij paralele, ndërsa vijon me; Flamur Noka, Edi Paloka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Luciano Boçi, Edmond Spaho, Luan Baçi, Agron Shehaj, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Isuf Cela, Bujar Leskaj, Belind Kelliçi dhe Elda Hoti.

Pjesë e grupit të Alibeajt janë identifikuar 21 deputetë, të cilët morën pjesë në mbledhje. Ata janë Kreshnik Çollaku, Zheni Gjergji, Bledjon Nallbati, Dashnor Sula, Arbi Agalliu, Gazment Bardhi, Dhurata Çupi, Saimir Korreshi, Eralda Bano, Merita Bakiu, Ferdinand Xheferri, Kastriot Piroli, Ilda Dhori, Lefter Geshtenja, Lindita Metaliaj, Flamur Hoxha, Seladin Jakupllari, Enkelejd Alibeaj, Emilja Koliqi, Orjola Pampuril dhe Andia Ulliri.

Partia Demokratike po kalon krizën më të rënda që nga themelimi. Partia ka rrëshqitur javë pas jave në një situatë të paprecedentë dhe absurde. Partia Demokratike është sot me dy Kuvende Kombëtare dhe me dy Këshilla Kombëtarë, ndërsa shumë shpjet do të bëhet me dy kryesi, dy sekretariate dhe dy kryetarë.