Fifa World Cup nga Coca-Cola ka mbërritur në Tiranë. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi pritën ekipin e Trofeut të Kupës së Botës në aeroportin e Rinasit. Veliaj tregoi bisedën me ish futbollistin brazilian Gilberto Silva, nga i cili mori mesazhin se për të qenë një sportist, politikan apo inxhinier duhet të jesh njeri i mirë.

“Nga biseda që po bënim me Gilberton kuptova se shpesh herë, duke u fokusuar tek trofeu, rezultati i garës harrojmë se mbi të gjitha, përvec se të jehs sportist i mir,ë duhet të jesh njeri i mirë dhe më pas mund të bëhesh politikan i mirë, inxhinier i mirë, biznesmen i mirë. Unë besoj që kemi ambicie për të pasur sportin elitar dhe komunitar. Sot duke sjellë Kupën e Botës në Tiranë, besoj se do të jetë një Silva i vogël në një cep të Tiranës ose Shqipërisë ku me fantazi, dëshirë e pasion do të gjejë forcat për t’iu përkushtuar një jetë të tërë ambicies”, tha Veliaj.

Ndër të tjera, Veliaj përsëriti thirrjen që e mërkura të jetë dita pa makina për finalen e Conference League pasi do të ketë dyndje të kryeqytetit dhe duhet të gjithë të dalin faqebardhë duke respektuar rregullat.

“E mërkura është ditë pa makina, pushim zyrtar, do lejohet transporti i mallrave, do lejohet transporti publik. Të gjithë ata që mund t’i evitojnë punët, do i kërkoja që të mos udhëtojnë në Tiranë, ta mbajnë trafikun sa më të ulët, të kemi një rrugë ekspres nga këtu në Rinas dhe të pandërprerë deri në Tiranë që sportistët e tifozeritë të shijojnë qytetin. Fan Zona miks është në sheshin Skënderbej. Kolegët e Feyenordit do të jenë tek pedonalja dhe pastaj nisen për stadium nga pedonalja dhe kanë hyrjen në portat veriore. Kolegët e Romës do të kenë Fan Zone tek Amfiteatri i Liqenit. Në të dyja Fan Zone do të ketë ekrane. Shpresoj që në këtë dyndje do të dalim të gjithë faqebardhë nëse respektojmë ditën pa makina, ndarjet e tifozerive dhe me një buzëqeshje duke mbajtur Tiranën pastër”, tha Veliaj.

Finalja e Conference League, kompeticionit të UEFA-s që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj, pritet të sjellë mijëra tifozë nga Italia dhe Holanda. Ndërkaq, të gjitha biletat për të parë ndeshjen tashmë janë shitur nga UEFA. Prej ditësh, kryeqyteti po bëhet gati për të pritur edhe tifozët që nuk do të kenë bileta dhe do ta shohin ndeshjen jashtë stadiumit.

Amfiteatri Veror i Liqenit dhe pedonalja “Murat Toptani” do të kthehen në Fan Zone për tifozët e Romës dhe Feyenoord, ndërsa sheshi “Skënderbej” do të presë tifozë neutralë, në mënyrë që edhe ata që nuk kanë bileta, ta shijojnë ndeshjen me po të njëjtën atmosferë si në stadium.