Trupi i ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani pritet të mbërrijë në atdhe të martën e javës së ardhshme.
Pas vdekjes së tij, ditën e shtunë në Spitalin Universitar të Berlinit Charite, stafi mjekësor dhe të afërmit e të ndjerit po merren me procedurat e posaçme që mundësojnë sjelljen e trupit të ish-Presidentit të Republikës në atdhe, ku pritet t’i bëhen edhe nderimet e fundit.
Mësohet se procedurat mund të përfundojnë gjatë ditës së hënë dhe po të hënën rreth mbrëmjes trupi i tij do të niset drejt Tiranës dhe do të mbërrijë gjatë ditës së martë. Ish-Presidenti do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare.
Për këtë, Këshilli i Ministrave pritet të marrë një vendim të posaçëm, për t’i bërë ish-kreut të shtetit nderimet e duhura.