Ursula von der Leyen, shefja e Komisionit Europian, tha se lufta e Ukrainës po vë në pikëpyetje rendin ndërkombëtar, teksa iu drejtua sallës në Forumin Ekonomik Botëror, shkruan The Guardian.

“Liderët në Davos duhet të flisnin për ta bërë botën më të mirë së bashku, por në vend të kësaj ata duhet të flasin për pushtimin e Putinit. Nuk është vetëm një çështje e mbijetesës së Ukrainës, apo e sigurisë europiane. Po vë në pikëpyetje të gjithë rendin ndërkombëtar“, tha von der Leyen.

Von der Leyen tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje buxhetore tani, prandaj KE propozoi një paketë ndihme financiare prej 10 miliardë dollarësh, paketën e saj më të madhe ndonjëherë për një vend të tretë. “E njëjta vendosmëri do të ndihmojë Ukrainën të ngrihet nga hiri”, këmbëngul von der Leyen.

Puna është kolosale, por “së bashku mundemi dhe do ta realizojmë sfidën”. Çdo vend që kujdeset për Ukrainën, institucionet shumëkombëshe, kompanitë të gjithë duhet të kontribuojnë.Von der Leyen tha se asetet ruse të ngrira jashtë shtetit mund të përdoren gjithashtu për të financuar rindërtimin: “Nuk duhet të lëmë asnjë gur pa lëvizur, duke përfshirë ndoshta përdorimin e aseteve ruse që kemi ngrirë.”