Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se, projekti i ri për shtimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës do t’i japë një hap të ri zhvillimi sektorit, në eksporte dhe punësim.

Sipas projektet të hartuar tashmë nga MBZHR, investimi që pritet të zbatohet së shpejti do të konsistojë në “shtimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës (Bankinë) Loti 1” sipas normativave të projektimit për porte do të shihen mundësitë për të rritur kapacitetin aktual të anijeve që ankorohen.

“Duke gjykuar nga kapacitetet aktuale të portit, aktualisht në të ankorohen 60% e anijeve të peshkimit të përmasave të ndryshme. Qëllimi i kësaj detyre është të shihet mundësia për një shtim kapaciteti ankorimi në pjesë veri-perëndimore të portit me gjatësi 200m duke pasur parasysh parametrat e nevojshëm për të tilla vepra”, thuhet në dokumentin e ministrisë.

Porti i peshkimit Durrës ndodhet në jugperëndim të valës së kalatës (kalata 1) të portit tregtar. Aktualisht në këtë port ankorohen rreth 60% e anijeve të peshkimit që bëjnë pjesë në flotën e peshkimit të Durrësit. Zgjerimi i hapësirës ankoruese sipas MBZHR është menduar duke krijuar mundësi optimale ankorimi në pjesën veri-perëndimore me një gjatësi 200m duke e kthyer atë segment nga skarpate guri me koeficient pjerrësie 1ː1 (gjë që e vështirëson shumë ankorimin e anijeve) në skarpatë vertikale betoni të shfrytëzueshme për ankorim.