Kanë kaluar saktësisht 15 vjet që nga momenti kur Apple solli iPhone e parë në dyqane. Ishte 29 qershori i 2007-ës në fakt, kur modeli i parë i telefonit celular të Cupertino bënte prezantimin e tij në dyqanet Apple në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 15 vjet që kur kompania kaliforniane nisi një garë të pandalshme që e ktheu në një mbretëreshë të padiskutueshme të Uall Street. Dhe që faktikisht i dha të drejtë Steve Jobs, vizionarit që duke prezantuar iPhone e parë – gjatë një konference për shtyp në San Francisko – do të shprehej: “Kjo është një ditë që e kam pritur me padurim për dy vjet e gjysëm. Ndonjëherë del një produkt revolucionar që ndryshon gjithcka…”
iPhone ndryshoi gjithcka në të vërtetë. Sepse është aparati kryesor i revolucionit të telefonave celularë. Një aparat që ka ndryshuar zakonet tona, mënyrën e komunikimit, të lëvizjes dhe të pagesave. Ndryshoi dhe ekuilibrat e financave, pasi ndërsa iPhone mbërrinte në raftet e dyqaneve apple, në Uall Street dominonin kompanitë e naftës. Dhe Apple ishte një kompani teknologjike e qëndrueshme, por ende në kërkim të pikës që do të mund të ndryshonte fatin e saj. Por brenda pak vitesh ekuilibrat ndryshuan.
Në 29 qershor të 2007-ës, 15 vjet më parë, një aksion i Apple shkëmbehej me 4 dollarë e 35 cent. Ndërsa kapitalizimi i tregut të shoqërisë së Cupertino ishte pak më shumë se 105 miliard. Ishte vetëm fillimi i një ngjitjeje të madhe
Që në fund të vitit 2007, aksionet e Apple shënuan një rritje prej +65% në gjashtë muaj, dhe kapitali i saj i tregut fluturoi mbi 170 miliard. Suksesi i aparatit celular me mollën e kafshuar u bë menjëherë i qartë për të gjithë. Këto vite Apple ka prodhuar 20 modele të iPhone dhe aksionet e kompanisë që nga qershori i 2007-ës u rritën me më shumë se 4000%.
Kompania e Cupertino ishte e para në Uall Street, që kaloi pragun e trilion dollarëve, duke u bërë kompania e parë prej një trilion dollarësh – kjo ndodhi në 2018. Por më pas ajo arriti në dy trilionë në 2020 dhe tre trilionë në janar 2022.
Apple ka shitur mbi 2.2 miliardë iPhone në mbarë botën që nga viti 2007. Dhe sot, pavarësisht modeleve të reja të biznesit tashmë të vendosura, shitjet e “iPhone” janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e të ardhurave totale të gjeneruara nga gjigandi Cupertino. Apple gjeneroi 365 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2021, dhe 52% erdhi nga shitjet e iPhone. Sipas një vlerësimi, ka mbi 1.2 miliardë iPhone aktivë në mbarë botën deri më sot. Dhe kush e di nëse në vitin 2007, Steve Jobs i kishte parashikuar të gjitha këto./scan