Skandali i Uotërgejtit dhe ngjarjet e 6 janarit janë gjysmë shekulli larg njëra-tjetrës, në epoka shumë të ndryshme dhe kanë të bëjnë me probleme të ndryshme. Por në të dyja rastet, një president republikan u përpoq të shmangë rregullat e demokracisë.
17 qershori shënon 50-vjetorin e Uotërgejtit, që përfundimisht i dha fund presidencës së Riçard Niksonit. Përvjetori përkon me seancat e Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol. Misteret e të dyja çështjeve vazhdojnë.
A pritet ende të zbulohet ndonjë fakt i pakundërshtueshëm, që do ta implikonte drejpërdrejt Donald Trumpin për sulmin ndaj Kapitolit? Apo ato tashmë i kemi parë në thirrjen që ai i bëri mbështetësve për të ardhur në Uashington “për të luftuar si kurrë më parë”, apo kur shprehte me zë të lartë, ato që mendonte për Nënpresidentin Pence – një nga të paktët njerëz që e kundërshtone nga rrethi i ngushtë i konspiracionistëve të bindur rreth tij – se “ndoshta duhej varrur, siç kërkonte turma e protestuesve”?
Dhe nga epoka e Uotergejtit ka mbetur pa përgjigje pyetja se përse Niksoni u tundua të kryente veprime të paligjshme politike? Ai e kishte të sigurt fitoren për t’u rizgjedhur, kur persona, të lidhur me ekipin e tij elektoral, hynë si hajdutë në zyrat e Partisë Demokratike, si sot para 50 vjetësh dhe u kapën.
Roli i tij për të mbuluar ngjarjen e Uotërgejtit dhe më pas përpjekjet për të penguar drejtësinë e detyruan Niksonin, që dy vjet pas ngjarjes, të largohej nga detyra. Ai dha dorëheqjen, për të shmangur shkarkimin e sigurt nga gjyqi në Senat. Tre udhëheqës republikanë nga Kongresi e bindën se nuk kishte rrugëdalje tjetër.
Ndyshe nga Niksoni, Trumpi ishte i dëshpëruar, pasi kishte humbur qartë zgjedhjet e 2020-ës, ndërsa nxiti njerëzit e tij – avokatë, ndihmës, si dhe mbështetësit e dhunshëm në Kapitol – në një përpjekje për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve dhe për ta mbajtur atë në detyrë. Pak në partinë e tij i kërkuan Trumpit që të pranonte publikisht humbjen.
Uotërgejti është skandali presidencial amerikan me të cilin krahasohen gjithë të tjerët. Ai rrëzoi një president nga pushteti. Megjithatë 6 janari ishte ngjarja ku u derdh gjak.
Uotërgejti pati një ndikim të fuqishëm politik. Dhjetra republikanë humbën në zgjedhjet për në Kongres në vitin 1974. Këtë herë, partia republikane pritet të ketë rezultate të mira në nëntor.
Michael Dobbs, autor i librit “Mbreti Riçard: Niksoni dhe Uotërgejti – Një tragjedi amerikane”, thotë se sistemi funksionoi në rastin e Uotërgejtit, sepse Kongresi, gjykatat dhe shtypi bënë punën e tyre për të denoncuar zinxhirin e aktiviteteve kriminale, që kishin ndodhur e që e detyruan Niksonin të jepte dorëheqjen.
“Sistemi u vu në provë atëherë,” thotë ai, “por, sot, është nën një provë shumë më të vështirë.”
Kur komisioni i Senatit për çështjen e Uotërgejtit zhvillonte seancat e tij historike në maj të vitit 1973, publiku ishte i shqetësuar edhe nga ekonomia, inflacioni i lartë dhe në atë kohë ndodhi edhe një nga tronditjet më të mëdha të tregut të aksioneve.
Por amerikanët e ndoqën me vëmendje atë, që ishte spektakli i një presidenti, që po fundosej ngadalë, por në mënyrë të pashmangshme në turp.
Seancat dëgjimore të 6 janarit, deri më sot, nuk kanë të bëjnë me zbulimin e fakteve të reja, sesa me ato, që tashmë janë zbuluar, gjatë muajve të një pune metodike.
Për zotin Dobbs, provat e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Trumpit në planifikimin, ose nxitjen e trazirave të 6 janarit, me synimin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, duhet të jenë të pakundërshtueshme.
Sfida për hetimin e 6 janarit dhe për ndjekjen penale, janë “natyra e paqartë e deklaratave të Trumpit nga pikëpamja ligjore”, thotë ai. Deklaratat e tij mund të interpretohen në mënyra të ndryshme”.
Në publikimin e dëshmive të regjistruara më parë nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Trumpit, komisioni hetimor ka ekspozuar shkallën në të cilën disa, apo shumë, në rrethin e Trumpit, e dinin se pretendimet e tij se zgjedhjet ishin vjedhur ishin një mashtrim. Edhe vajza e tij Ivanka Trump nuk po e besonte këtë.
Komisioni për çështjen e Uotërgejtit, i përbërë nga katër demokratë dhe tre republikanë, u ngrit me votim unanim në Senat. Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për ngjarjet e 6 janarit, në të kundërt, u formua me një votim 222 pro dhe 190 kundër. Pro ngritjes së tij votuan vetëm dy republikanë, që sot janë anëtarë të Komisionit.
Ndërsa Trumpi i deklaronte hapur dhe publikisht pretendimet e tij, Niksoni vepronte në mënyrë private, ose mendonte se po vepronte privatisht. Ishte sistemi i regjistrimit të Shtëpisë së Bardhë, që Niksoni e kishte instaluar vetë, që e tradhëtoi atë, kur Gjykata e Lartë e detyroi Niksonin të dorëzonte kasetat e regjistrimit.
Në një bisedë të 23 qershorit 1972, gjashtë ditë pas hyrjes së paligjshme në zyrat e Partisë Demokrate, shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, H.R. Haldeman, dëgjohet duke i rekomanduar Niksonit që FBI-së t’i thuhet “të heqë dorë nga hetimi për ngjarjen, përpara se byroja të ndjekë gjurmët e krimit, që ishte ideuar në Shtëpinë e Bardhë”.
“Mirë, mirë,” thotë Nixoni. “Qëndro i fortë”.
Kjo ishte prova e pakundërshtueshme, që minoi edhe atë mbështetje që i kishte mbetur partisë republikane të Niksonit.
Gjithë këto vite më vonë, ende nuk dihet se cili person e dha urdhrin për të hyrë në zyrat e Partisë Demokratike në kompleksin Uotërgejt. Nuk ka asnjë provë që Niksoni ishte drejtpërdrejt i përfshirë, por gjithashtu nuk ka paqartësi mbi faktin, se ai u përpoq ta mbulonte skandalin dhe veproi në mënyrë të paligjshme./ VOA