“Der Spiegel”
A mund të jetë kjo luftë një shans? Ekzistojnë shumë arsye, për të refuzuar një pikëpamje të tillë. E megjithatë, kjo gjë ka ndodhur herë pas here. Luftërat ndryshojnë lojërat; ato transformojnë shumë gjëra. Para së gjithash, ato e kthejnë në makth jetën e përditshme të njerëzve.
Por në aspektin politik, mund të ketë efekte pozitive të herëpashershme. A është Bashkimi Evropian një nga këto raste? Po, pretendon intelektuali bullgar Ivan Krastev, studiues në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë, dhe një nga mendimtarët kryesorë politikë të kohës sonë.
Para fillimit të luftës, Krastev shkruante se Evropa ishte në prag të rrënimit, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjes midis demokracive jo–liberale në Poloni dhe Hungari me Komisionin Evropian dhe me shumicën e vendeve të tjera anëtare të BE-së.
Por këto kohë ai është më optimist. “Lufta është një shans për Bashkimin Evropian”- deklaroi Krastev në një takim në Vjenë menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Putin. Kompromiset, shtoi ai, ishin papritur të arritshme. Qeveria polake nuk mund të pretendojë më se kërcënimi më i madh për sovranitetin e saj është Brukseli. Pasi ky kërcënim tani vjen nga Moska. Dhe BE-ja, e cila e kishte parë rolin e saj transformues të vendeve si Polonia, ka arritur tani të njohë vlerën e tyre në luftën kundër kërcënimit rus.
Krastev beson se Evropa mund të nxjerrë 2 leksione nga kjo luftë: Asnjë vend nuk mund t’i rezistojë i vetëm sfidave të jashtme, dhe sigurisht jo atyre ushtarake. Por shton ai, lufta nuk është një betejë për Evropën. Ndërsa ukrainasit po mbrojnë vendin e tyre, polakët dhe shtetet baltike janë të shqetësuar për vendet e tyre, një dëshmi thotë Krastev se shteti-komb është ende i rëndësishëm për identitetin politik të njerëzve.
Pajtimi i asaj që i bashkon me atë që i ndan evropianët, ka qenë misioni i madh i Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Sidomos Gjermania ka qenë prej kohësh një avokate e së përbashkëtës, e shprehur tek koncepti i një “bashkimi gjithnjë e më të ngushtë”, një synim i shpallur që në Traktatin e Romës të vitit 1957.
Synimi përfundimtar është ai i një shteti federalist, sovran si brenda po ashtu edhe jashtë. Qeveria aktuale në Berlin e ka mbështet hapur këtë qëllim. Megjithatë, Bashkimi Evropian është larg këtij vizioni. Sovraniteti vazhdon t’i takojë kryesisht shteteve kombëtare, dhe këto të fundit janë të etura të ruajnë atë që i veçon, veçanërisht anëtarët më të rinj në Evropën Lindore.
Dhe në Evropën Perëndimore, rritja e partive politike populiste dhe ri–fokusimi tek interesat kombëtare që ndodhën gjatë krizës në eurozonë dhe asaj të refugjatëve, e dobësuan prirjen drejt së zakonshmes. Utopia e një Evrope të brendshme sovrane nuk është më aq e fuqishme sa dikur.
Por utopia e një Evrope sovrane në skenën ndërkombëtare është ende e gjallë. Ideja është ajo e një BE-je që ndjek një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, dhe të një BE-je që është në gjendje të mbrohet vetë, edhe me mjete bërthamore. Një term tjetër për këtë është autonomia strategjike.
Por lufta në Ukrainë ka nxjerr në pah në mënyrë të pa mëshirshme faktin se kjo autonomi nuk ekziston aktualisht. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të donte ta drejtonte vendin e tij drejt BE-së, por vetëm SHBA mund të garantojë sigurinë reale në Perëndim. Evropa ka kohë që është strukur nën ombrellën mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara, por kjo nuk është një strategji afatgjatë e besueshme. Ndaj sot kemi 2 zhvillime kontradiktore: Utopia e parë, pra sovraniteti i brendshëm, duket se e ka humbur tani për tani tërheqjen e saj. Por Utopia e dytë, sovraniteti i jashtëm, është bërë gjithnjë e më i domosdoshëm.
“Ne evropianëve duhet të na vijë turp që jemi të paaftë të mbrojmë një projekt kaq të mrekullueshëm siç është BE-ja”- thotë Claudia Major, drejtuese e grupit kërkimor të politikave të sigurisë në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Berlin, një think-tank i financuar kryesisht nga kancelaria.
Evropianët ia kanë lënë mbrojtjen e tyre NATO-s, e cila mund të përbëhet kryesisht nga shtetet kombëtare evropiane, por që vlen shumë pak pa SHBA-në shton Major. Dhe pas
për më pak se dy vjet e gjysmë, amerikanët mund të zgjedhin sërish Donald Trump ose ndonjë president tjetër që mendon pak për NATO-n.
Për më tepër amerikanët, po fokusohen gjithnjë e më shumë tek kërcënimet që burojnë nga regjimi autoritar në Pekin. Në skenarin më të keq, BE-ja do të ishte kryesisht e pambrojtur kundër Rusisë dhe sundimtarit të saj, Vladimir Putin, që duket i aftë për çdo gjë. Major nuk ka shumë shpresë se BE-ja do të ishte veçanërisht e aftë pa “ombrellën mbrojtëse” amerikane.
Po çfarë duhet bërë? Major propozon që BE dhe NATO të ndërlidhen më mirë midis tyre. Njëkohësisht ushtritë e vendeve anëtare të BE-së duhet të përmirësohen, kryesisht në aspektet konvencionale, me tanke dhe helikopterë.
Anna Cavazzini e përshkruan veten si një evropiane e flaktë. Ajo do të donte të shihte zhvillimin e një shteti federal evropian, me një qeveri evropiane dhe një parlament evropian.
Cavazzini, një politikane e Partisë së Gjelbër, ka qenë anëtare e Parlamentit Evropian për pak më pak se 3 vjet.
Ajo u zgjodh për herë të parë në krye të Komitetit të Tregut të Brendshëm dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ajo beson se shtetet kombëtare duhet të heqin dorë nga akoma më shumë pushtet, dhe kërkon eleminimin e të drejtës së vetos së shteteve kombëtare. Sipas saj rregulli i shumicës duhet t’i zërë vendin atij të unanimitetit të detyrueshëm.
Sipas Canazzini vetëm kjo do të çonte drejt shndërrimit të BE-së në një shtet federal sovran.
Por historiani gjerman Heinrich August Winkler nuk sheh asnjë bazë për një sovranitet të brendshëm brenda Bashkimit Evropian. “S’mund të ketë sovranitet përtej sovranitetit popullor. Pasi kjo do të kërkonte një legjitimim të plotë të politikës evropiane përmes parlamentit në Strasburg. Dhe kjo nuk mund të ndodhë pasi një votë elektorale nga Malta ka 10 herë më shumë peshë në nivel evropian sesa një votë nga Gjermania.
Zgjidhja që propozon Krastev është pajtimi. “Nëse ne shqetësohemi vërtet për BE-në, duhet ta bëjmë pajtimin si prioritetin kryesor- thotë ai. Kjo nënkupton zbutjen e kontradiktave të brendshme të BE-së, edhe nëse ato nuk mund të zgjidhen plotësisht. Polonia dhe vendet e tjera duhet ta pranojnë se ka disa rregulla që vlejnë për të gjithë.
Dhe BE-ja, thekson Krastev, duhet ta pranojë se shumë vende anëtare, nuk duan që identiteti i tyre kulturor të “tretet” në Evropë. Po si të sheshohet kontradikta kryesore midis integrimit dhe demokracisë? Krastev thekson se shumë intelektualë liberalë e shohin demokracinë si një kërcënim për Evropën.
Tek e fundit, thonë ata, demokracia mund ta shkatërrojë BE-në në rast se qytetarët zgjedhin në krye qeveri anti-evropiane. Ose nëse votojnë kundër projekteve evropiane në referendume, siç ka ndodhur në Francë, Danimarkë dhe Holandë. Në Greqi, popullsia votoi kundër paketës shtrënguese të vendosur nga Brukseli gjatë krizës së euros dhe borxhit.
E megjithatë, Brukseli e detyroi qeverinë greke që të përmbushte kushtet e saj. Pra, çfarë është më e rëndësishme: Evropa apo demokracia? Për Krastev, përgjigja e kësaj pyetje fshihet tek praktika politike. Për të, Evropa është një vend negocimi. BE-ja, thotë ai, nuk po shkon drejt një pike përfundimtare, sigurisht jo drejt një shteti federal.
Ai e përshkruan unionin si një entitet të gjallë, që duhet të ndryshojë në varësi të sfidës. Përpjekjet e BE-së për të fituar legjitimitet përmes reformave të reja janë ç’orientuese. “Mbijetesa në një krizë është ajo që i jep Evropës legjitimitetin e saj”- thotë ai.
Utopia e Krastev: Evropa do të bashkëpunojë edhe më ngushtë pas luftës, thotë ai. Dhe ky integrim do të drejtohet nga shtetet anëtare. “Brukseli do të jetë një ofrues shërbimi për këtë integrim”- thekson ai. /Bota.al/