Një rrugë për të cilën qeveria Berisha pagoi vetëm 25% të punimeve të kryera dhe nuk e përfundoi kurrë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë para hapjes për qarkullimin e automjeteve të këtij aksi, një ndër më të rëndësishmit sa i takon zhvillimit të turizmit në vend, opozita ka nisur refrenin e përhershëm, atë të hedhjes së baltës duke u përpjekur të bëjnë pis një tjetër vepër, që në fakt, sipas afateve, duhet ta kishin ndërtuar ata.
Por, si shumë punë të tjera, edhe kjo rrugë që lidh Gjirokastrën me Sarandën, ata që e nisën nuk arritën dot të lidhnin as dy fshatra që shtrihen përgjatë këtij aksi, sot po mundohen të ngrenë tymnajën, duke recituar shifra që as vetë nuk i besojnë.
Por, si qëndron e vërteta përmes shifrave dhe fakteve, të cilat janë kokëfortë dhe të pamohueshme nga askush.
1.Opozita pretendon se, kur ishte në pushtet, në 7 muaj ndërtoi lotin e parë të rrugës Kardhiq-Delvinë duke e shitur si punë të qeverisë së saj.
E vërteta: Në vitet 2007-2008, qeveria e kohës projektoi dhe tenderoi rrugën Kardhiq-Delvine për të tetë lotët e saj. Kontraktoi dhe nisi zbatimin për tre lotet e para, të cilat shtrihen në terren tërësisht fushor, dhe me trase gati, në dhjetor 2007.
Gjatë gjithë vitit 2008, u çel një fond nga buxheti i Shtetit për vetëm 100 mijë lekë! Në katër vitet qe pasuan, 2009 deri në shtator 2012, nga qeveria e Partisë Demokratike iu paguan kontraktuesve privatë 3.6 milionë euro ose vetëm 25% të punimeve të kryera. Në total këto punime kapnin vlerën totale të 15 milionë eurove.
Edhe pse loti i parë ishte rrugë tërësisht fushore, kontraktorët kërkuan dhe realizuan kontratë shtesë për të.
75 përqind të shumës ose 11.4 milionë euro detyrime të prapambetura (qeveria e PD të tilla grumbulloi plot 650 milionë euro!) i pagoi qeveria Rama 1 deri në fund të vitit 2017.
Loti i parë, që PD pretendon se e përfundoi, realisht përfundoi në nëntor 2017.
Të dyja lotet e tjera, në terren plotësisht fushor, që qeveria e PD i nisi, por as i mbaroi dhe as i pagoi, përfunduan së ndërtuari, loti i dytë në dhjetor 2017 dhe loti i tretë në dhjetor 2016.
2. Opozita pretendon se tani zhvillohen tenderime të trefishta për të njëjtin segment rruge, duke akorduar fonde shtesë, krejtësisht abuzive dhe të pambështetura.
E vërteta: Projekti për lotet 4, 5 dhe 6, tërësisht në zonë malore, që PD e inicioi, por për të cilat nuk kontraktuan dhe nuk bënë një metër rrugë, u ripunua nga projektues të kontraktuar pranë ARRSH në vitin 2018, për t’iu përshtatur standardeve të reja të projektimit, të miratuara me VKM nr.628 të vitit 2015, si dhe manualit të çmimeve, të miratuar me VKM nr. 629 të vitit 2015.
Sipas INSTAT, manuali i punimeve shtetërore i vitit 2015 përmban çmime mesatarisht 30% më të larta se manuali i punimeve shtetërore i vitit 2005, mbi bazën e të cilit u kontraktuan dhe u përfunduan tre lotet e para. Vlera tërësore e të tetë loteve të projektuara nga PD kapte shifrën 10.6 miliardë lekë me projektin e vitit 2008, ose 86 milionë euro me këmbimin lekë-euro të vitit 2008. Por, opozita këtë vlerë nuk e deklaron.
Sepse nëse do shpreheshin, duke ponderuar shifrën 86 milionë euro me 30% më shumë çmime të rritura, sipas manualit të punimeve shtetërore të vitit 2015, del një shifër akoma më e lartë se sa shifra tërësore sa ka kushtuar rruga Kardhiq-Delvinë prej 108 milionë euro, që PD sot e atakon si me shtesa punimesh dhe çmime të fryra abuzivisht.
Prandaj të gjitha vlerat e projektit të vitit 2018 për rrugën dhe të punimeve të përfunduara tashmë nga Qeveria aktuale, po ja vëmë qytetarit në dispozicion, të gjykojë ai nëse ka abuzime dhe çmime të fryra për ndërtimin e kësaj rruge kaq të rëndësishme për turizmin e vendit tonë dhe për zhvillimin e zonave me potencial turistik.
Më poshtë karakteristikat e të pesë loteve të tjera të kontraktuara dhe ndërtuara gjatë viteve 2018-2022.
• Loti 4:
(Filluar në Shtator 2018, përfunduar në Tetor 2021). Rruga fillon në afërsi të fshatit Kardhiq deri në afërsi të Tunelit të Skërficës, ka një gjatësi prej 6.150 Km dhe shtrihet e gjitha në terren malor, me gërmime të mëdha, shoqëruar me vepra arti: 2 ura të mëdha me gjatësi 150m dhe 60m dhe mure të larta mbajtës.
Gjatë zbatimit të kontratës u vërejt se formacionet gjeologjike në vend ishin të ndryshme nga parashikimet e projektit (fortësia e formacionit në gërmim ishte më e lartë se parashikimi në projekt). Kjo solli rritjen e vlerës së kontratës, duke u zgjidhur kontraktualisht nëpërmjet një kontratë të re shtesë. Për të vërtetuar formacionin e ri gjeologjik, janë zhvilluar studime gjeologo-inxhinierike shtesë të thelluara, shoqëruar me provat laboratorike për çdo seksion të gërmuar.
• Loti 5:
(Filluar në Shtator 2018, përfunduar në Tetor 2021). Rruga fillon në afërsi të fshatit Fushë-Vërri deri në afërsi të fshatit Senicë, ka një gjatësi prej 3.058 Km dhe shtrihet e gjitha në terren malor, me gërmime të mëdha, shoqëruar me vepra arti: 2 ura 60m dhe 10m dhe mure mbajtës të larta.
Gjatë zbatimit të kontratës u evidentuan fenomene gjeologjike të paparashikuara në disa zona të mëdha gërmimi (tip U-Sec skarpata deri në 25m) të cilat shfaqën paqëndrueshmëri të skarpatës, për shkak të dherave të shkrifët. Për këtë arsye, zbatimi i projektit fillestar në këto zona ishte i pamundur, pasi rrezikonte sigurinë e rrugës në tërësi. Pas studimeve të thelluara gjeologo-inxhinierike, u riprojektuan këto zona, duke parashtruar një zgjidhje inxhinierike, nëpërmjet uljes së këndit të skarpatës dhe masave të tjera, çka implikoi kosto të shtuara për projektin, të cilat u zgjidhën kontraktualisht nëpërmjet një kontrate shtesë.
• Loti 6:
(Filluar në Shtator 2018, përfunduar në Dhjetor 2021). Rruga fillon në afërsi të fshatit Senicë deri në afërsi të Tunelit të Skërficës, me një gjatësi prej 4.650 Km dhe shtrihet e gjitha në terren malor, me gërmime të mëdha, shoqëruar me vepra arti tip box culvert dhe mure të larta mbajtës.
Gjatë zbatimit të punimeve, u vërejt se në kilometrin e fundit të segmentit, këndi i orientimit të shtresave gjeologjike paraqiste rrezikshmëri për përdoruesit e rrugës, duke aktivizuar zona rrëshqitje në të gjithë këtë gjatësi. Këto zona rrëshqitjeje u tentuan të riparoheshin, por pa sukses. Për këtë arsye, lindi nevoja e rishikimit të projektit, për të garantuar një zgjidhje afatgjatë në favor të sigurisë rrugore. Zgjidhja e propozuar konsistoi në spostimin e aksit rrugor, duke përdorur një sistem terramesh, për të minimizuar gërmimin dhe duke e rikompozuar seksionin në mbushje. Sistemi i terrameve u propozua si zgjidhje e detyruar, për shkak të pjerrësisë së madhe të terrenit dhe pranisë së përroit në anën e majtë të rrugës. Zgjidhja implikoi kosto të shtuara për projektin, të cilat u zgjidhën kontraktualisht me një kontratë të re shtesë.
Puna për të ndërtuar lotet 4,5 dhe 6 solli detyrimin për të ripunuar projektin, për shkak të fenomeneve të ndodhura gjatë zbatimit të kontratave. ARRSH, së bashku me konsulentët e saj, u përpoq që zgjidhjet inxhinierike të zbatuara të sillnin kosto minimale për buxhetin e shtetit dhe ndikimin minimal mjedisor në zonë.
• Loti 7:
(Filluar në Gusht 2020, përfundon në Gusht 2022). Loti 7 ose Tuneli i Skërficës. Fillon në grykën e Skërficës, krahu verior, Tuneli i Skërficës L=1316m dhe Tuneli SOS L=670m), ka një gjatësi prej 2.630 Km dhe gjerësi të asfaltuar 9.5 m.
Tuneli në projektin fillestar të vitit 2008 duhej të kushtonte 3.6 miliardë lekë ose 29.3 mln euro, me këmbimin valutor të asaj kohe. Po përfundon për 2.2 miliardë lekë ose 18.3 mln euro.
• Loti 8:
Sinjalistikë dhe Siguri rrugore nga Loti 1 deri në lotin 6 (Filluar në Mars 2022, po përfundon tani në Qershor 2022). Fillon nga kthesa te ura e Kardhiqit deri në fshatin Shijan (pa përfshirë Lotin 7), në gjatësinë prej 31.4 Km, me sinjalistikë vertikale dhe horizontale, si dhe barrierat e sigurisë rrugore, sipas projektit. Sinjalistika që në projektin fillestar ka qenë i përcaktuar si një segment më vete, si lot më vete, dhe nuk ka pasur shtim të një loti të ri. Sinjalistika është mbajtur si një lot më vete që nuk ishte përcaktuar në asnjë pjesë të loteve të tjera.
Për shkak se projekti fillestar nuk përfshinte zërat e sinjalistikës dhe sigurisë rrugore për asnjë nga lotet (përveç lotit 7) ky objekt parashikon vendosjen e të gjithë elementëve të nevojshëm, pa të cilat një segment rrugor nuk mund të funksionojë.
Loti 8 ka edhe rivitalizim skarpatesh, ose ndryshe vendosje rrjetash mbrojtëse për rënien e gurëve dhe gjelbërimin e skarpateve. Me këto punime, përmirësohen ndjeshëm kushtet e mirëmbajtjes dhe ulet numri i aksidenteve rrugore.
E vërteta është aty, në sytë e atyre që duan të shohin dhe qytetarëve që tashmë do ta përdorin këtë rrugë të shumëpritur, që afron ndjeshëm Sarandën dhe Delvinën me pjesën tjetër të vendit dhe i jep një tjetër hapësirë zhvillimit të turizmit në këtë zonë./Lexo.al