Pritshmëritë e deputetit gjerman të CDU-së, Knut Abraham nga vizita e Kancelarit Scholz në rajon.
-Në prag të udhëtimit të tij, Scholz tha se do të ringjallte Procesin e Berlinit të iniciuar nga ish-kancelarja Angela Merkel. Ai takohet në Selanik me përfaqësues të të gjitha vendeve të rajonit. Megjithatë, shumë pak vendime të Procesit të Berlinit janë zbatuar. A do të ishte nisma e Ballkanit të Hapur një alternativë më efektive?
Abraham: Besoj se Procesi i Berlinit që lidhet me emrin e zonjës Merkel sigurisht që ka sjellë përparim në rajon. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian është gjithashtu një trashëgimi e rëndësishme nga koha e zonjës Merkel në detyrë. Çdo gjë që forcon tregtinë ndërrajonale dhe ekonominë ndërrajonale për të mirën e të gjithë partnerëve është e mirë. Pra, edhe nisma e Ballkanit të Hapur është një element pozitiv.
-Megjithatë, Kosova nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë nismë. Cila është këshilla juaj?
Abraham: Ky është një kompromis. Përvoja e Kosovës me fqinjin e saj është mbrujtur nga mosbesimi. Kjo nuk mund të anashkalohet. Por unë besoj se çdo gjë që ndihmon në zgjerimin e ekonomisë kosovare është e mirë. Dhe në këtë kuptim, unë besoj se Ballkani i Hapur mund të jetë një perspektivë.