Gjenerallejtënanti britanik Michael Jackson, do të mbërrinte të shtunën e 12 qershorit 1999 në Aeroportin e Prishtinës.
Ai ishte i rrethuar nga trupa, automjete të blinduara dhe helikopterë.
Jackson u bëri thirrje serbëve dhe shqiptarëve (etnikë) që të pajtoheshin me një plan ndërkombëtar paqeje për Kosovën.
Trupat e NATO-s sapo ishin shpërndarë në Kosovë dhe kishin dalë në sipërfaqe raportimet e para për mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë tërheqjes së tyre.
Ushtaraku i lartë britanik do të shprehej sakaq se “siguria dhe mirëqenia e kosovarëve ishin shqetësimet e tij më serioze”.
Ndërkohë, anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin çuar një reporter perëndimor në qytetin e vogël të Malishevës, ku ishin zbuluar 14 trupa.
Mes të vdekurve ishte dhe një grua me kokën e prerë, raportonte gazetarja e pavarur Juliette Terzieff.
Qentë, macet dhe kuajt e ngordhur kishin mbuluar zonën, rrëfente ajo.
Sipas saj, disa forca serbe që ishin larguar një ditë më parë u orvatën mbi makina të braktisura me tanket e tyre dhe u vunë flakën traktorëve dhe shtëpive.
Sapo ishte bërë e ditur që zyrtarët e Byrosë Federale të Investigimeve në Amerikë do të dërgonin një ekip mjeko-ligjor në Kosovë.
Kjo, për të ndihmuar hetimin asokohe të gjykatës së OKB-së për krimet e luftës.
Një forcë e vogël ruse po e priste forcën paqeruajtëse të NATO-s në Prishtinë.
Njësitë e blinduara britanike kishin mbërritur në qytet para agimit.
Tytat e armëve automatike shënjestronin për nga qielli duke përshëndetur me të shtëna të herëpashershme festive.
Sekretari (asokohe) amerikan i Mbrojtjes, William Cohen deklaronte se kontingjenti rus po bënte përgatitje për të bashkëpunuar me njësitë e avancuara të forcës paqeruajtëse ndërkombëtare, e njohur si KFOR.
Njësitë britanike dhe franceze kishin udhëhequr rrugën për në Kosovë, të ndjekura nga trupat amerikane, gjermane dhe italiane.
Helikopterët Chinook dhe Puma që mbanin parashutistë dhe anëtarë të regjimentit elitar të pushkëve Gurkha të Britanisë fluturuan përtej kufirit.
Kjo, ndërsa mori jetë Operacioni “Joint Guardian” – një nga grumbullimet më të mëdha ushtarake në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
NATO do të kishte “disa mijëra trupa brenda Kosovës” deri në mbrëmje për të stabilizuar situatën ndërsa ushtria (jugosllave) tërhiqej.
Kështu deklaronte nga Belgjika gjenerali amerikan Wesley Clark, komandanti suprem i NATO-s.
Ndërsa serbët në Kosovë u ofruan një mirëseardhje të përulur trupave të KFOR-it, shqiptarët i përshëndesnin ushtarët e ardhur me thirrjet “NATO, NATO” dhe “Tony Blair, Tony Blair”.
Ish-kryeministri britanik ishte një nga udhëheqësit më të ashpër të NATO-s gjatë konfliktit jugosllav.
Por hyrja e NATO-s në Kosovë do të pengohej nga mbërritja në orët e para të së shtunës e një kontingjenti rus në Prishtinë.
Ardhja e forcave ruse para agimit do të habiste jo pak zyrtarët e NATO-s dhe të SHBA-ve.
Masa erdhi në kundërshtim të drejtpërdrejtë me garancitë e Moskës zyrtare.
Sipas kësaj të fundit, Kremlin-i nuk kishte plane për të lëvizur në Kosovë përpara trupave të NATO-s.
Rusia do t’i kërkonte NATO-s pa sukses që t’i jepte kontrollin e një sektori të Kosovës si pjesë e forcës paqeruajtëse.
Ish-ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov do të shprehej se lëvizja në Kosovë ishte një gabim dhe trupat do të tërhiqeshin.
Por zyrtarët e Kremlin-it e hodhën poshtë menjëherë këtë deklaratë.
Ndihmësi i lartë i presidentit rus për politikën ndërkombëtare theksonte se Yeltsin (Boris Yeltsin) urdhëroi mbërritjen e trupave në Kosovë për të udhëhequr forcën e saj paqeruajtëse.
Ushtarët rusë me veshje kamuflazhi hynë në Prishtinë në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Banorët serbë të Prishtinës do të rreshtoheshin nëpër rrugë, duke brohoritur dhe duke hedhur lule mbi kolonën e kamionëve dhe transportuesve të blinduar rusë.
Roli i Rusisë në përpjekjet paqeruajtëse ishte ende i pasqaruar.
Një delegacion ushtarak rus kishte mbërritur në Shkup, për të diskutuar këtë çështje me homologët e tij të NATO-s.
Përderisa NATO kishte kundërshtuar vendosjen e Rusisë nën kontrollin e një pjese të Kosovës, Rusia kundërshtonte nga ana e saj vendosjen e forcave ruse nën komandën e NATO-s – në këtë rast, Jackson, komandant i KFOR-it.
Trupat e NATO-s ishin njohur më shumë nga oficerët rusë në Prishtinë për shkak të shërbimi të tyre në misionin paqeruajtës boshnjak.
Pleurat Sejdiu, përfaqësuesi asokohe i UÇK-së, nënvizonte se lidhjet e rusëve me serbët duhet t’i pengojnë ata të kontrollojnë çdo pjesë të Kosovës.
Ndonëse paqeruajtësit nuk hasën asnjë rezistencë ndërsa shkuan në Kosovë, ata ishin në gatishmëri të lartë për eksplozivë dhe kurthe.
Ndërsa kolona e NATO-s kalonte nëpër një sërë fshatrash nuk shihej asnjë civil i vetëm.
Shenjat e tragjedisë njerëzore ishin të dukshme, pas eksodit masiv të refugjatëve të Kosovës gjatë muajve të fundit.
Qindra makina të braktisura, copa veshjesh dhe këpucësh ishin shpërndarë përreth.
Më shumë se një milion shqiptarë etnikë ishin shpërngulur nga lufta në Kosovë.
Në Prishtinë, efekti i përparimit të shpejtë të trupave të NATO-s kishte filluar të shfaqej.
Një numër i madh banorësh serbë po paketonin gjërat e tyre. Ata po largoheshin nga Kosova për t’u vendosur në Serbi.
Liria kishte mbërritur, por jo festimi. Festohej për jetën me shpresën se ishte fituar jeta.
Në zonat e zbrazëta të periferisë jugore të Prishtinës bubulonin shtëllungat e tymit të nacionalistëve serbë.
Dy realitete kishin marrë shkas më 12 qershor – mes maktheve e ëndrrave – më në fund të lirë.
Ky artikull përfshin dëshmi të CNN dhe Associated Press nga 12 qershori i vitit 1999 në Kosovë. /Albanianpost.com/