“Një pikë kyçe për linë e majmunëve është se ne po veprojmë paraprakisht, për të siguruar mundësitë e parandalimit dhe trajtimit nëse është e nevojshme. Kjo nuk është një emergjencë e shëndetit publik për momentin”.
Kështu ka deklaruar Marco Cavaleri, kreu i strategjisë së vaksinimit të EMA-s (Agjencia Europiane e Barnave).
“Edhe pse shpërthimi i lisë së majmunëve është i pazakontë, është qetësuese që shumica e pacientëve kanë pasur simptoma të lehta dhe janë shëruar pa trajtim. Është një virus jashtëzakonisht i ndryshëm nga Sars-Cov-2, duke u nisur nga fakti se nuk transmetohet lehtë mes njerëzve”, theksoi ai.
EMA po diskuton trajtimet dhe vaksinat e disponueshme kundër lisë së majmunëve me kompanitë, tha zyrtari, duke vënë në dukje se dy ilaçe me potencial për t’u përdorur kundër lisë së majmunëve janë tashmë të autorizuara në Bashkimin Europian (BE).
I pari është Tecovirimat, një antiviral i autorizuar për trajtimin e lisë, lisë së majmunëve dhe lisë së lopëve. Tjetra është Imvanex, një vaksinë e autorizuar aktualisht vetëm në BE për të mbrojtur të rriturit kundër lisë.