Armando Broja dhe Kristjan Asllani janë dy nga emrat më të lakuar së fundmi në Serie A. Për “bomberin” kuqezi interesohen klube si Napoli, Lazio, Atalanta e shumë të tjerë, ndërsa Asllani ka pranuar ofertën e Inter për të vijuar karrierën në Milano. Në lidhje me këto dy lojtarë ka folur dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares, Erjon Bogdani. Në një intervistë për ‘Radio Goal’, Bogdani u ndal fillimisht tek interesimi i Napolit për Brojën:
“Më bëhet shumë qejfi që Napoli interesohet për Armando Brojën, sepse po flasim për një futbollist të madh. Është një numër 9 i lëvizshëm, jo si Osimhen, ka të tjera karakteristika.
Jemi duke folur për një lojtar të ri, të datëlindjes 2001 dhe Çelsi nuk e ka shitur, por e ka dërguar për dy vite në huazim, sepse ka pasur gjithmonë besim tek ai.
Këtë vit ka luajtur si titullar për herë të parë, që për një lojtar në moshën e tij, në atë kampionat nuk është keq.
Në Premier Ligë nuk është e lehtë, sepse luajnë shumë kampionë dhe ai ka zhvilluar paraqitje të mira dhe ka shënuar”, janë fillimisht fjalët e Erjon Bogdanit.
SEZONI I RI – Ndërkohë, në lidhje me skuadrën që mund të luajë sezonin e ri ish sulmuesi shprehet:
“E kërkojnë shumë klube, por nëse Lukaku do të ikë, Broja mund të luajë të gjitha shanset e tij te Çelsi.
Edhe në ekipin kombëtar ka shënuar disa gola, por kanë qenë të një rëndësie të madhe, Edi Reja ka shumë besim tek ai. Napoli, sipas meje, është një skuadër e madhe dhe në vitet e fundit ka qenë gjithmonë në elitën e futbollit italian e ka bërë edhe shumë ndeshje të mëdha në Europë.
Nëse Napoli do ta marrë, duhet ta mbështesë sepse ai është një futbollist i perspektivës. Ndërkohë, djaloshi është shumë i gëzuar aktualisht dhe po pret një rifillim te Çelsi, gjithashtu edhe trajneri gjerman Tuhel është shprehur me superlativa për të.
Do t’i luajë të gjitha mundësitë për të qëndruar te Çelsi. Si ekspert futbolli, shpresoj që Osimhen të qëndrojë në Napoli për të ndihmuar ekipin me gola të rëndësishëm sezonin që vjen”.
ASLLANI – Bogdani e ka edhe një koment për Kristjan Asllanin që ka gjetur akordin me Interin dhe sezonin e ri pritet ta nisë si zikaltër:
“Edhe kur nuk luante tek Empoli, të gjithë shokët e mi shqiptarë më kanë thënë se ishte vërtet një lojtar i fortë dhe gati për të shpërthyer.
Po flasim për një futbollist me perspektivë, është vetëm 20 vjeç. Ka edhe një hap të madh, një gjuajtje të bukur nga larg dhe një personalitet të madh.
Duke shkuar tek Interi, do të përballet me Brozoviçin dhe Barelën, do ta shihja më mirë te Napoli pasi do të kishte më shumë hapësirë për të luajtur”.
BOGDANI TE NAPOLI? – “E them me inat. Kur Napoli ishte në Serinë B, më ka kërkuar, por unë isha te Siena në Serinë A. Në vendin tim morën Buçin, ka qenë një mëkat që nuk kam pranuar të shkoj.
Më pëlqen shumë të ndjek ndeshjet e Napolit, sepse ka prodhuar shumë lojtarë të rëndësishëm në vitet e fundit”.