Ka nisur me një ceremoni zyrtare mbledhja e 8-të e përbashkët qeveritare Shqipëri-kosovë. ku pritet firmosja e 19 marrëveshjeve.

Në axhendën e bërë publike do të mbajnë fjalime 2 kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti, e më pas nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim. Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ministrat e qeverisë janë nisur me furgon drejt Prishtinës për mbledhjen e tetë mes dy qeverisë asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryeministri Edi Rama mbërriti në Kosovë një ditë më parë, nga ku premtoi se do të hiqen të gjitha detyrimet doganore për të gjitha mallrat nga Kosova që do të vijnë në Shqipëri. Megjithatë nuk dha një datë se kur do të vihet në zbatim heqja e të gjitha tarifave doganore.

Rama tha se nuk ka kuptim që të hiqen tarifat doganore me Ballkanin e Hapur dhe jo me Kosovën. Kreu i qeverisë vizitoi edhe familjen e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i cili është në paraburgim në Hagë.

Mbledhja e fundit ka qenë në muajin nëntor të vitit të kaluar, ku Shqipëria dhe Kosova nënshkruan 13 marrëveshje të reja në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive në qytetin e Elbasanit.