Pojani në Fier, i përfshirë në programin “100 fshatrat”, u kthye mbrëmjen e djeshme në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare.

“Festa e grurit” mblodhi bashkë me qindra banorë, duke e kthyer Pojanin në epiqendër të festimeve dhe një vend atraktiv për vizitorët.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi e cilësoi fantastike atmosferën e krijuar në qytetin antik të Apolonisë.

“Kjo është një festë fantastike. Jo vetëm nga Fieri, por edhe nga gjithë trevat e tjera kanë ardhur këtu për të marrë pjesë së bashku dhe për të festuar ‘Festën e grurit’ ose festën e bukës së re. Është një ambient fantastik, një atmosferë fantastike. Njerëzit kanë ardhur me shumë dëshirë për të festuar së bashku dhe për të shijuar këto çaste të mrekullueshme. Jemi në zemër të Myzeqesë, në zemër të vendit ku prodhohet gruri, ndaj besoj se gjithë kjo festë që ne po bëjmë është në vazhdën e gjithë atyre festave që ne kemi organizuar edhe herë të tjera për të promovuar zakonet, traditat, doket, kulinarinë, gjërat e veçanta që ka çdo zonë dhe për të bërë atë që synojnë ta bëjmë të gjithë, që ta bëjmë qytetin tonë gjithmonë e më të jetueshëm e të këndshëm për gjithë njerëzit”, tha Subashi.

Vizitorët e Apolonisë shijuan mbrëmë këtë festë që erdhi si ndërthurje e folklorit me demonstrimet e mekanikes bujqësore, me panairet e prodhimeve të grurit dhe të bukës.

“Festa e grurit” në Myzeqe është një festë e përvitshme e konceptuar si një paradë e veshjeve, këngëve e valleve tradicionale, e bukurisë e mikpritjes myzeqare.

Me qindra njerëz u bënë pjesë të kësaj feste që bëri bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.

“Festa e grurit” është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor.