Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, foli edhe për integrimin e Shqipërisë, gjatë konferencës për media pas vendimit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës.
Komisioneri Varhelyi tha se shpreson që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për punë ditësh, gjë kjo që shënon hapjen zyrtare të procesit të negociatave të anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Europian.
“Sigurisht që ne shpresojmë, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë konferencën e tyre të parë ndërqeveritare në momentin që flasim dhe që ne nuk do të na duhet të presim më për arsye të brendshme politike në Bullgari. Dhe mbetem me shumë shpresë, që ne po flasim për çështje ditësh, sesa çështje muajsh, apo vitesh”, tha Komisioneri.
Më tej, Komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit , Oliver Varhelyi ka bërë të qartë edhe qëndrimin ndaj ngërçit aktual midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje historike, të identitetit dhe të gjuhës, që mban peng aprovimin e kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillit e ministrave të Bashkimit Europian.
“Nuk jam në dijeni të asnjë kuadri negociues. Ne kemi dijeni vetëm për një ngërç total (bllokim total) në Sofje. Nuk jam i kënaqur me këtë, pasi unë kam shpenzuar çdo të martë të dytë të muajve për të shkuar në Bullgari të mësoja nëse kishte një rrugë zhbllokimi. Duket se politikat e brendshme janë të afta për të testuar besueshmërinë e Bashkimit Europian. Pra, aktualisht nuk besoj, se mund të flasim për asnjë kuadër negocues”, u shpreh Varhelyi.