Qeveria japoneze u ka kërkuar qytetarëve të Tokios dhe zonave përreth që të konsumojnë më pak energji elektrike të hënën. Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve se mund të ketë mungesa të energjisë elektrike, pasi Japonia është duke u përballur me një valë ekstreme të të nxehtit, raporton BBC.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë pret që kërkesat për energji të jenë jashtëzakonisht të mëdha pasdite.
Sipas ministrisë, njerëzit duhet të fikin dritat që nuk i kanë të nevojshme, por rekomandon që kondicionerin ta përdorin, për të parandaluar goditjet nga i nxehti përvëlues.
Sektori i energjisë në Japoni është përballur me vështirësi pas një tërmeti që është regjistruar në rajonin verilindor në muajin mars, çka ka rezultuar me pezullim të punës në disa centrale bërthamore.
Prej disa javësh autoritetet kanë paralajmëruar për krizë energjetike, teksa rriten temperaturat.
Përgjatë fundjavës, temperaturat në qendër të Tokios kanë arritur në mbi 35 gradë Celsius, ndërsa qyteti Isesaki ka regjistruar temperaturë rekord prej 40.2 gradësh Celsius.
Kjo njëherësh ka qenë temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Japoni, në muajin qershor.
Qershori shënon fillimin e verës në Japoni, me temperatura që zakonisht janë nën 30 gradë Celsius.