Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh sot se PD po bën teatër me çështjen e heqjes së imunitetit të ministres Olta Xhaçka.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Mandateve lidhur dhe kërkesën e PD-së për deputeten socialiste, Balla tha se çështja ka zero substancë, megjithatë sipas tij u duhet dhënë kohë deputetëve të njihen me dokumentacionin.

“Kam merak që një pjesë e deputetëve nuk e njohin rolin e këshillit për këtë rast. Nëse ju keni ndërmend të bëni debat për këtë çështje, debat nuk ka. Nëse ju keni ndërmend të bëni teatër me këtë çështje, teatër nuk ka. Ajo që tha Bushka nuk kishte nevojë për koment nga ana juaj. Diskutimi këtu është i karakterit kushtetues, nuk e heqim dhe as nuk e japim ne mandatin. Mandatin e heq Gjykata Kushtetuese. Ajo që bëjmë ne nuk hyn fare në thelb, aty hyn vetëm Kushtetuesja. Keni sjellë dokumentacionin dhe ai duhet lexuar. Në fund ky institucion këtu nuk merr vendime. Që të jemi korrektë me detyrën që na ka ngarkuar ne Kuvendi i Shqipërisë, gjithë dokumentacionin që ka ardhur duhet ta verifikojmë”, tha Balla.

Sipas tij “unë do ulem bashkë me kolegët e mi gjatë ditës së sotme, të lexojmë dokumentacionin që kur të vijmë këtu të jemi seriozë me ata që na ndjekin. Ne kemi detyrë këtu që gjithë këtë dokumentacion ta shohim. Lexojeni rregulloren, nuk është i detyruar që deputeti të jetë present. Në rast se e konsideron të nevojshme, mund të jetë. Prandaj është diferenca mes teatrit, bujës politike dhe substancës. Substanca është zero. Kërkesa e Bushkës është një kërkesë në parim që nuk mund të vihet në dyshim nga ana e Këshillit”.