Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kryesoi takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit me temë “Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale (BE)”.

Ajp vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes OKB-së dhe BE, duke e cilësuar atë si thelbësor në adresimin e rritjes dhe kompleksitetit të krizave me të cilat përballet paqja dhe siguria ndërkombëtare.

“Ne besojmë fort, se krizat me të cilat bota po përballet bëjnë thirrje për më shumë multilateralizëm, për më shumë veprime të unifikuara dhe të koordinuara, duke përfshirë mbi të gjitha Këshillin e Sigurimit, Asamblenë e Përgjithshme dhe gjithë sistemin e OKB-së. BE është kontribuesi financiar më i madh, prandaj, ajo duhet të ndikojë dhe të projektojë veprimet e saj lidhur me çështjet humanitare, zhvillimore dhe zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën”, tha ajo.

Kryediplomatja Xhaçka vuri theksin tek mbështetja e Komisionit Evropian për zgjerimin e BE-së, teksa u shpreh se Shqipëria është gati për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.

“Ne kemi kënaqësinë të themi se, ne e kemi bërë pjesën tonë dhe jemi të gatshëm për kapitullin e ardhshëm, në një proces që duhet të shkojë përpara me peshën e tij të paçmuar politike, një investim pa kthim drejt stabilitetit, sigurisë dhe drejt një të ardhmeje të sigurt të përbashkët”, deklaroi ajo.

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell Fontelles, u shpreh se multilateralizmi është nën presion si kurrë më parë dhe se është nevoja për një bashkëpunim global.

“Evropa qëndron pranë partnerëve të saj. Ne mbështesim rolin e OKB-së, duke përfshirë Grupin Global të Reagimit ndaj Krizave. Sanksionet e BE-së nuk janë shkaku i mungesës së ushqimit. Ata synojnë vetëm ndalimin e aftësisë së Kremlinit për të financuar agresionin ushtarak – jo kryerjen e tregtisë legjitime”, tha Borrell në fjalën e tij.