Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky priti sot në një takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç në Kiev.

“Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe kjo është një shfaqje e rëndësishme e mbështetjes për popullin tonë. Sot u takova me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç”, njoftoi sot presidenti i Ukrainës, Zelensky përmes një postimi në rrjetin e tij social.

Takimi do të pasohet nga konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Rama, kryeministrit Abazoviç dhe presidentit Zelensky.

Më herët, Rama dhe Abazoviç vizituan ekspozitën “FOREVER FREE UKRAINE”, ku dëshmohen gjurmët e agresionit të Rusisë në Ukrainë përmes ekspozimit të objekteve të luftës, sendeve personale dhe fotove të ushtarëve dhe civilëve, mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa pa nga afër dëshmi tronditëse të kësaj lufte, Rama la një shënim në Librin e Shënimeve të vendosur në ambientet e kësaj ekspozite. “Bota ta ndalojë këtë tmerr dhe Ukraina të dalë e rilindur prej tij!”, shkroi kryeministri Rama në Librin e Shënimeve.

Kryeministri Rama do të takojë gjatë ditës kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal dhe më pas kryetarin e bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.