Për raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, Samiti në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, i mbajtur të enjten e 23 qershorit, ka qenë një dështim i plotë.
Sipas saj, mos-marrja e asnjë vendimi konkretë për Ballkanin Perëndimor, është një sinjal jo e duhur, për të ardhmen evropiane e këtyre shteteve.
“Nga kjo situatë është vetëm një person i lumtur, dhe ai ulet në Kremlin”, ka shkruar Cramon në rrjetin e saj social në Twitter.
Cramon më tej ka shprehur indinjatën e saj edhe kundër Komisionit Evropian, dhe se sipas saj ajo qesh kur dëgjon se komisioni e quan veten, komision gjeopolitik.
“Bosnja e Hercegovina nuk e ka marrë statusin e kandidatit, aq më keq Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk ju nisën negociatat për anëtarësim dhe Kosova nuk ka marrë liberalizimin e vizave. Më duhet të pranoj, jam tmerrësisht i zhgënjyer me Komisionin Evropian”.
Ndryshe zëdhënësi i Këshillit Evorpian, Barend Leyts, një ditë më parë përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, kishte treguar se cilat janë përfundimet e nxjerra për Ballkanin Perëndimor në Samitin e Bashkimit Evropian, të mbajtur këtë të enjte në Bruksel.
Në këto konkluzione, nuk u përmend fare liberalizimi i vizave për Kosovën, por vetëm bëhej fjalë për zgjidhjen dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën e arritjes së përparimit të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në konkluzionin përfundimtar për Kosovën.
Teksa, në pikën e parë të këtyre konkluzioneve, thuhej se Bashkimi Evropian shpreh angazhimin e tij të plotë dhe të qartë për perspektiven e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.