Nga Adriatik Doçi/

Sali Berisha nuk ka ‘zhgënjyer’ teksa ka kundërshtuar propozimin e socialistëve për të kandiduar për postin e Presidentit gjeneral major Bajram Begajn. Berisha ka pohuar se ushtarakëve aktivë u ndalohet rreptësisht të zgjidhen apo të emërohen në detyra të tjera. Ashtu si ndaj gjyqtarëve, kryeprokurorëve dhe çdo funksionari që nuk i është bindur, Sali Berisha ka një raport problematik dhe armiqësor me gjeneralët dhe ish ushtarakët në tërësi.

Gjeneralët që kanë refuzuar tjetërsimin e pronave dhe implikimin në funksion të realizimit të aferave të familjes Berisha, janë përndjekur, dënuar, kërcënuar dhe shantazhuar. Gjeneralët që kanë firmosur tjetërsimin e pronave publike në favor të familjes Berisha, janë kandiduar për deputet në listat e Partisë Demokratike.

Kërcënimi i Luan Hoxhës për Gërdecin
Në 17 qershor 2009, 14 muaj pas tragjedisë së Gërdecit, produkt i korrupsionit qeveritar, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha, i sapo shkarkuar, i kërkon një takim me urgjencë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, për të rrëfyer të vërtetën e Gërdecit.

Takimi dhe rrëfimit reflektohet në një kabllogram sekret që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, tre ditë më pas, në 20 qershor 2009.

Në kabllogram shkruhet se Luan Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa.

Sipas kabllogramit “ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e Gërdecit për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi. Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Ai shpjegon se Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”.

I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO”.

Më pas Berisha e shpalli armik ambasadorin amerikan, madje përmes Ilir Metës, tentoi ta dëbonte nga Shqipëria, por kërkesa e Metës si ministër i Jashtëm u refuzuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Luan Hoxha u dënua për me 5 vite burg si i përfshirë në çështjen Gërdeci. Gjenerali u larguar në SHBA ku mori azil politik.

Kërcënimi i Vladimir Qirjazit për ish Klubin Partizani
Vladimir Qirjazi, gjeneral brigade i forcave të armatosura, rezulton i vetmi zyrtar shteti, i cili ka kundërshtuar planin e Sali Berishës për privatizimin e kompleksit ish Klubi Partizani, në të cilin sot dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ka ngritur 20 kulla me vlerë dhjetëra milionë euro, në të cilat është pronar me 35-50 %. Si komandat Komandës Mbështetëse që administron shumicën e pronave ushtarake, Vladimir Qirjazi, në Mars 2009, ishte urdhëruar nga ministri i Mbrojtjes, Gamend Oketa, urdhrin për t’u përgatitur nënshkrimi i kontratës dhe për t’i dorëzuar kompleksin Partizani Jamarber Malltezit dhe trashëgimtarëve të tjerë si akti i fundit i procesit të privatizimit.

Qirjazi refuzon pasi sipas tij i takonte Ministrisë së Mbrojtjes, që administronte struktura ushtarake, që të nënshkruajë kontratën dhe jo atij, dhe së dyti dokumentacioni ishte i paplotë.

I gjendur nën presionin e Berishës, Oketa e kërcënon gjeneralin se do të merreshin masa ndaj tij nëse nuk firmoste.

”Ministri me kërkoi që unë duhej të firmosja pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij. Unë i thashë se nuk mund të firmosja pa plotësuar praktikën përkatëse dhe se nuk e di pse duhet ta bëjmë me urgjencë. Më tha se kjo punë mund të shkojë deri në masë, dhe unë ju përgjigja se mund të bëni si të doni, por kjo nuk është aspak e drejtë. E mbyllëm bisedën duke i thënë se si do ndjeheshit ju zoti ministër nëse nesër për shkak të problemeve ligjore të praktikës, përsëri një gjeneral i ushtrisë të jetë dëshmitar në gjyq për problemet që mund të kenë privatët që pretendojnë blerjen e kësaj prone. Ja përsërita se kjo nuk ka aspak sens zoti ministër, ndaj dhe dua që edhe ju të rishikoni urdhrin tuaj”, ka rrëfyer gjeneral Qirjazi për Report Tv.

Më tej, gjeneral Qirjazi kërcënohet nga një inspektim abuziv nga zyra anti-korrupsioni i Berishës në Kryeministri. Një nga dy inspektorët e emëruar nga Oerd Bylykbashi ishte pikërisht një nga ish-pronarët, Ilir Kadiu. E vetmja zgjidhje për Berishën ishte largimi nga ajo detyrë e Vladimir Qirjazit në shtator të vitit 2009 dhe më pas lirimi nga Forcat e Armatosura në vitin 2011.

Xhemal Gjunkshi firmos, bëhet deputet
Në 9 shtator 2009 gjenerali i bezdisshëm Vladimir Qirjazi u transferua sipas sugjerimit te Oerd Bylykbashit dhe në vend të tij Berisha dhe Arben Imami emëruan gjeneralin e Brigadës Xhemal Gjunkshi, i cili u tregua shumë i gatshëm për të mbyllur çështjen.

Më 15 tetor 2009, Arben Imami e delegoi atë për të nënshkruar kontratën “si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes që administron Kompleksin Partizani” dhe të nesërmen, 16 Tetor 2019, edhe pse nuk ka asnjë kompetencë mbi atë pronë, Gjunkshi nënshkruan aktin me te cilin i dorëzon Kompleksin Partizani familjes Berisha dhe trashëgimtarëve të tjerë.

Megjithëse emri i Gjeneralit Xhemal Gjunkshi ishte raportuar edhe në ambasadën Amerikane për një rast të pretenduar korrupsioni në zgjedhjen e ushtarëve të caktuar në misionet jashtë vendit, karriera e tij ushtarake dhe politike nuk ndalet kurrë. Në gusht 2011 u bë Shefi i Shtabi i përgjithshëm dhe në qershor 2017 u zgjodh deputet, në radhët e Partisë Demokratike.

Afera e armëve dhe përgjimeve, shpërblehet Ylli Zyla
Në korrik të vitit 2012, dha dorëheqjen kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zyla, pas skandalit të zbuluar nga Shqiptarja.com, ku ku bashkëshortja e Zylës rezultonte ortake me disa tregtarë armatimesh që ishin kontraktuar nga Ministria e Mbrojtjes me në kre Arben Imamin. Një muaj pas dorëheqjes, Arben Imami dhe Berisha e emëruan Ylli Zylën në krye të Policisë Ushtarake. Në 2014, Zyla dhe 6 bashkëpunëtorë të tij u kallëzuan penalisht për për shpërdorim detyre, duke shkaktuar dëme ekonomike, në blerjen e pajisjeve të përgjimit, ku mes tyre bën pjesë një kompjuter valixhe përgjimi frekuencash, kamera sigurie, mikrofona përgjues, si dhe disa sisteme të posaçme përgjimi me kosto rreth 1.5 milionë euro.

Akuzat ndaj Gjeneral Jeronim Bazos
Pas humbjes së pushtetit, Sali Berisha do të niste një luftë të gjatë akuzash ndaj Gjeneral Major Jeronim Bazo, i dekretuar nga ish presidenti Bujar Nishani në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në nëntor të vitit 2013. Gjatë gjithë mandatit të tij, Gjeneral Jeronim Bazo u akuzua nga Sali Berisha si i përfshirë në trafikun e drogës. Nisur nga këto akuzua, Berisha i vendosu edhe nofkën ‘gjeneral trafiku’. (Shqiptarja.com)