Kryeministri Edi Rama dhe homologu i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, janë nisur drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kievit.
Ka qenë vetë kreu i qeverisë shqiptare ka shpërndarë dy fotografi nga aeroporti i Rinasit, teksa ka ngjitur shkallët e avionit së bashku me Abazoviç. Dy kryeministrat shqiptarë do të takohen në Kiev me presidentin e Ukrainës Volodomyr Zelensky.
Më herët, në një bisedë me Zelenskin, Abazoviç theksoi se Mali i Zi ka ofruar mbështetje të hapur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës që në fillim.
“Ai theksoi se vlerat evropiane të lirisë dhe e drejta për zgjedhjen e dikujt mbrohen sot jashtë kufijve të Bashkimit Evropian dhe se Mali i Zi mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Abazovic tha gjithashtu se shpreson që Ukraina të marrë statusin e një vendi kandidat për anëtarësim në BE dhe se Mali i Zi, si lider në procesin e negociatave, është i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme eksperte dhe politike.
Gjatë bisedës telefonike të Zelenskit, kryeministri ka informuar për numrin e refugjatëve ukrainas që ka pranuar Mali i Zi dhe ka deklaruar se bëhet fjalë për rreth dy për qind të popullsisë.