Samiti i NATO-s që do të mbahet gjatë këtij muaji në Madrid, do të vendosë nëse do të rritet më tej numri i trupave të Aleancës në krahun e saj lindor për shkak të ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë.

Presidentët e Letonisë dhe Lituanisë përfituan nga vizita e kancelarit gjerman Olaf Solz në Vilnius, për të bërë thirrje për një prani të shtuar të NATO-s në shtetet baltike, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Si presidenti lituanez Gitana Nauseda, ashtu edhe homologu i tij letonez Egils Levic i bënë thirrje aleancës ushtarake të vendosë më shumë trupa në rajon.

“Samiti i NATO-s në Madrid duhet të jetë një samit vendimmarrës ”, tha Nauseda, ndërsa shtoi se Lituania shpreson të arrijë një marrëveshje me aleatët e saj “për të kaluar nga parandalimi në mbrojtjen aktive, nga batalionet në brigada, nga policia ajrore në mbrojtjen ajrore “.

Nga ana tjetër, Levic shtoi se shpresonte se vizita e Soltz do të sillte “propozime konkrete” për të forcuar mbrojtjen në krahun lindor të NATO-s.

“Ne presim që Gjermania të ketë parasysh gjithashtu sigurinë e përgjithshme të NATO-s dhe për këtë arsye të mbështesë praninë e zgjeruar të NATO-s në tre vendet baltike”, tha presidenti letonez.

Solz pritet të zhvillojë bisedime me Nauseda dhe kryeministrat e tre shteteve baltike gjatë vizitës së tij në kryeqytetin lituanez , ku çështja e sigurisë lindore të NATO -s do të jetë në krye të agjendës, sipas zyrës së kancelares.

Solz do të vizitojë më pas trupat gjermane të stacionuara në bazën Rukla në Lituani, ku ushtria gjermane komandon një njësi të NATO-s. Njësia shumëkombëshe e NATO-s atje u përforcua me trupa shtesë nga Gjermania dhe Norvegjia përpara pushtimit rus të Ukrainës, duke e çuar numrin total të trupave të NATO-s në 1600 nga 1200.