Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë vjetore të organizatës jofitimprurëse “Sesame Workshop” në Nju Jork, ku u nderua me çmimin e liderit global për solidaritetin e treguar dhe ndihmën që u dha qytetarëve të Afganistanit, duke i strehuar pas pushtimit nga talebanët.
“Jam shumë, shumë mirënjohës, por jam edhe tejet i keqardhur, që më duhet të përsëris diçka që e kam thënë shumë herë, sa në pozitë ndihem. Mos më keqkuptoni, është një nder, nder i madh e, gjithashtu, një kënaqësi e madhe që gjendem sot këtu, po nuk arrij dot ende të bëj paqe me faktin që ajo çka duhej të ishte rregulli, është përjashtim.
Më duhet t’ju them, duke qenë se jemi këtu pas dyerve të mbyllura e nuk na dëgjon kurrkush, se ajo çfarë ndjeva përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve ka vetëm një emër: “Turp”.
Shumë njerëz më kanë pyetur: “Pse? Pse do ta bënte Shqipëria këtë? Pse do e merrja unë këtë vendim?” Ndoshta, edhe në këtë sallë ka njerëz që pyesin veten pse një prej vendeve më të varfra të Europës ishte një ndër vendet e para që u hapi dyert njerëzve, që përpëliteshin mes jetës e vdekjes” tha Kryeministri duke shtuar se për shqiptarët ky veprim është i shkruar në kushtetutën tonë, duke cituar se në kanun: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Më tej Kryeministri theksoi sërish se Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë qytetarë hebrenj sesa përpara luftës, duke treguar historinë e dorëzimit të arit te nazistët, por duke mos pranuar të dorëzonin asnjë nga komuniteti hebre.
“Katër udhëheqës fetarë, të cilët u thirrën në Berlin nga njeriu që ishte në krye të operacionit “Zgjidhja përfundimtare”, përfaqësonin katër bashkësitë fetare të Shqipërisë, të krishterët katolikë, të krishterët ortodoksë, myslimanët sunitë dhe bektashinjtë, myslimanët shqiptarë. Atyre iu kërkua të nënshkruanin një marrëveshje me Rajhun e Tretë, që kishte dy pika: të lejonin regjimin nazist të merrte floririn shqiptar, që asokohe gjendej në bankën e Romës dhe të bashkëpunonin me regjimin nazist për të kapur hebrenjtë. Ata dhanë firmën për floririn, por nuk e dhanë për hebrenjtë” shpjegoi Rama.
Kryeministri Rama po ashtu renditi historinë e shqiptarëve në komunizëm, duke theksuar se kur qytetarët tanë emigruan drejt Evropës, gjetën strehë, ashtu si u dhanë strehë shtetasve të Afganistanit, kur ishte radha jonë për të ofruar ndihmë. Ai shtoi se këtë veprim, shqiptarët e bëjnë në nder të historisë dhe të gjeneratës së re.
“Për aq kohë sa kemi një shtëpi, ajo shtëpi i përket gjithkujt që gjendet në nevojë dhe ne u vijmë në ndihmë e do t’u vijmë përherë në ndihmë, jo me fjalë, por me vepra. Pra, e bëmë për nder të traditës sonë, e bëmë në nderim të historisë sonë personale si refugjatë, por e bëmë po ashtu në nder të fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, pasi, në fund të fundit, e vetmja pasuri që kemi dhe u detyrohemi fëmijëve tanë është kujtesa” duke theksuar se shpreson që Shqipëria një ditë të jetë vend i pasur, por më shumë lutet që vendi ynë të mos e harrojë të shkuarën.
Në mbyllje, Kryeministri Rama tha se Shqipëria për herë të parë do të kryesojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përgjatë muajit qershor, duke ftuar organizatën “Sesame Workshop” të vinte në Këshill për t’i folur të gjitha vendeve anëtare për fëmijët e Ukrainës dhe të mbarë botës që po vuajnë prej zhvendosjeve të detyruara nga lufta.
Rama tha se nuk është meritë e tij, por meritë e të gjithë popullit shqiptar, ku shumë më shumë se shumica që mbështet qeverinë ishte e vendosur për të mbështetur vendimin e marrjes së qytetarëve afganë.
“E kemi kaluar vetë. E dimë si ndihesh dhe e kemi për nder t’u hapim dyert atyre që, sot, janë shqiptarët e 30 viteve më parë” përfundoi Kryeministri Rama duke falenderuar organizatën për vlerësimin.