Nesër për herë të parë, në 144-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës orën e parë të mësimit do t’ia kushtojnë përkujtimit dhe nderimit të një prej ngjarjeve më madhore të historisë së kombit shqiptar.
Në nder të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Ministrat e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, Evis Kushi dhe Arbërie Nagavci, kanë vendosur me urdhër të posaçëm që ditën e nesërme të gjitha shkollat orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë përkujtimit të kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme.
Me këtë rast, Ministrja Evis Kushi me ftesë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Prizren, ku pritet të mblidhen edhe të gjithë kryetarët e komunave shqipfolëse të rajonit.
Në një status në rrjete sociale znj. Kushi shprehet se ky vendim i Shqipërisë dhe Kosovës synon të përcjellë tek nxënësit vlerat e rralla dhe dashurinë për shqiptarinë.

Mesazhi i plotë i ministres Kushi:

Së bashku me Ministren e Arsimit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, kemi vendosur që në nder të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nesër, datë 10 qershor 2022, në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet kësaj ngjarjeje madhore në historinë e kombit shqiptar, për të përcjellë tek nxënësit vlerat e rralla dhe dashurinë për shqiptarinë