Në zonën e Bryllit, jeton prej 16 vitesh presidenti më i ri i vendit, Bajram Begaj. Ai nuk ishte një figurë e panjohur, pasi profesioni i tij si mjek si dhe posti i Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura e bënin që të gëzonte një respekt thuajse nga të gjithë ata që e kishin njohur sadopak. Por më shumë Begaj njihet për humanizmin e tij dhe këtë na e vërtetuan edhe fqinjët e tij. Kamera e Dritare Tv ishte pikërisht ne lagjen ku ai jeton që prej 2006-ës dhe sapo treguam se për çfarë arsye kishim shkuar, asnjë nga banorët që ndaluam nuk ngurroi të jepte mendimin e tij. E përbashkëta e të gjithë ishte respekti me të cilin flisnin për presidentin e ri. Njohëm një president që jeton në një lagje modeste dhe mes qytetarëve të thjeshtë, ose siç e quanin vetë ata fqinjët e tij, njeri i popullit dhe flisnin me bindje se do të punonte për popullin.
Ne patëm fatin të merrnim një mendim edhe nga gjuhëtari i njohur Seit Mansaku, i cili edhe pe nuk kishte njohje personale me të ishte i bindur se ishte një zgjedhje e mirë dhe kishte plus faktin që Begaj ishte me profesion mjek, gjë që do ta ndihmonte të ishte më afër njerëzve.
“Shyqyr që u zgjodh njëherë presidenti, se mjaft u zgjat. Unë personalisht nuk e njoh. Sigurisht që ai njihet si figurë publike se ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura dhe nuk është një emër i padëgjuar, është edhe mjek dhe të qenit mjek mendoj se është një gjë e mirë, sepse ka atë aspektin human më të zhvilluar. Kështu që do të mendojë dhe punojë për njerëzit. Tani do ta shohim si do të vazhdojë, por unë kam besim që është një zgjedhje e mirë”, u shpreh Mansaku për presidentin Begaj.
“Ështe një nga njerëzit më të thjeshtë, njeri shumë familjar, me një fjalë i devotshëm për detyrën që do të marrë. Unë jam banor i vjetër i kësaj lagjeje, komshi i vjetër me Bajramin dhe kemi shumë respekt për të të gjithë si lagje.
Asnjëherë nuk na shkonte mendja se do bëhej president, i plotësonte të gjitha kushtet, pasi e dinim që ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pra dy herë më mirë mund ta bëjë rolin e presidentit. Tani nëse më lejohet, një këshillë që do i jepja, meqë ka qenë dhe ushtarak fjalën: Urdhëro, si urdhro ti ketë për popullin. Është njeri i popullit, t’i shërbejë popullit.
E njoh shumë mirë zotin Bajram, si një qytetar të rregullt, njeri i shkëlqyer. Këtu në bllok, ai ka rënë në sy për humanizmin. Të gjithë i ka ndihmuar, dhe një ndër ta jam edhe unë. Kam qenë në gjendje kome dhe më ka nxjerrë nga koma. Nuk mund të them fjalë më të mira, vetëm i uroj që Zoti ta ndihmojë në detyrën që ka marrë. U gëzuam shumë kur e morëm vesh, madje kishim qejf të hidhnim dhe fishekzjarre, po nuk i patëm se ndryshe do i hidhnim. Është njeri shumë i nderuar dhe rrallë mund të gjemë njerëz si ai.
Mendoj se ai do i ulë temperamentin politikës, jam i bindur për këtë se është njeri shumë humanitar. Unë nuk mund t’i jap këshilla, edhe pse jam më i madh, po ai është i pranueshëm në çdo pozicion, është i ndërgjegjshëm unë vetëm mund ta uroj. Jam i bindur që nuk bën gabime.
Momentalisht e njoh si shef i shtabit që ishte, kam shumë respekt për ushtarakët ngaqë edhe vet kemi qenë ushtarakë. Konkretisht dhe personalisht nuk e njoh, por kam shumë respekt dhe them që është njeri shumë i mirë. Kam përshtzpjen që do të jetë njeri i mirë dhe i duhuri për postin e presidentit. E prisnim që të zgjidhej një ushtarak dhe jo nga politika dhe bënë mirë që nuk e zgjodhën nga politika. Ka njerëz politikanë shumë të mirë nga të dyja krahët por mendoj që një ushtarak do të ishte më i përshtatshëm. Them që është njeri shumë i mirë.
E njoh prej 15-16 vitesh, jemi komshi bashkë. Nuk e di çtë them më tepër se po e lavdëroj shumë, se është një njeri i zgjedhur tamam. Është njëri i dashur këtu në pallat, njeri i sinqertë, burrë shumë i urtë, sillet shumë mirë. Si shef shtabi që ka qenë edhe president po të njejtën sjellje ka, është njeri i mirë. Unë mendoj se është njeriu më i mirë i përzgjedhur për president. Flas si banor pallati, se është mirë të kesh në pallat sidomos një president si Bajram Bega. Është një përzgjedhje jashtëzakonisht e mirë, kështu mendoj unë por edhe gjithë pallati. Sjellja e tij në këtë pallat është jashtëzakonisht e mirë, është njeri i përveçëm, kështu që e meriton atë post që i dhanë si president. Kështu mendoj unë dhe shumë banorë të pallatit. I themi vetëm urime, suksese dhe Zoti e ndihmoftë në detyrën e re, si president”, shprehen disa nga banorët e zonës së Brrylit për presidentin e ri./dritare.net