Kryeministri Edi Rama ka zbardhur në mbledhjen e grupit prapaskenat për daljen e emrit të kandidatit për President. Rama tha se ishin 3 grupe, të vetëofruarit brenda grupit parlamentar, i dyti nga figura që kanë një kontribut domethënës në jetën e partisë dhe i treti me profile të ndryshme, nga ku doli dhe emri i kandidatit për President Bajram Begaj.

“Procesi i propozimit me zarfet e sekretuar shmangu atë që mund të ishte një bolori e madhe në rast se emrat do të kishin marrë rrugët dhe do të kishin hyrë në gjithë dhëmballët dhe dhëmbët e analistëve dhe të opinionistëve që përgjithësisht janë në një situatë delikate pasi nuk kanë dhe shumë ushqim për të futur në sherr dynjanë në këtë fazë të jetës politike. Diskutimi i djeshëm ishte shumë përmbajtësor. Ne patëm nga grupi tre drejtime, të përcaktuara prej profileve të propozimeve të bëra. Njëri drejtim ishte i të vetëpropozuarve këtu në grup që u përjashtua menjëherë sepse parimi i vënë publikisht ishte që ne jemi këtu vërtetë me të gjitha votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës, por jemi në dispozicion të Republikës, nuk jemi në dispozicion të thjesht të PS-së dhe të vetvetes në këtë rast dhe për këtë arsye e kemi thënë publikisht që në krye të herës, pavarësisht se si u spekulua, natyrisht siç ndodh rëndomë që kjo ishte një lojë që nuk do të kishim një kandidat nga grupi parlamentar i PS. Drejtimi i dytë ishte drejtimi që adresonte mundësinë për të eksploruar kandidatura që nuk janë anëtarë të grupit të PS, por që kanë një kontribut domethënës në jetën e partisë, që nga kryetari i partisë Fatos Nano dhe me radhë të tjerë për të cilët kemi respektin më të madh, por përsëri për arsyet e thëna publikisht, ne e pamë të arsyeshme që dhe këtë drejtim ta përjashtojmë nga mundësia e përfshirjes në përzgjedhje sepse në këtë fazë të jetës së vendit, PS ka barrën që të jetë partia e të gjithëve. Dhe pavarësisht se si njerëzit votojnë, ata që nuk e votojnë në fund PS-në, të mos ndihen assesi të përjashtuar nga këndvështrimi i PS-së mbi jetën publike, politike, institucionale dhe zgjedhjet që duhen bërë.

Kështu u fokusuam te grupi i tretë, ku grupi kishte vënë në funksion të këtij procesi 26 kandidatura me gra dhe bura të nderuar, me profile të ndryshme, që nga profilet e jetës publike apo akademike deri te drejtimi që vinin nga të tjera drejtime politike. Pas diskutimit, duke ruajtur respekt për të gjithë personat, pavarësisht se mbledhja ishte e mbyllur, u ruajt respekti për të gjithë personat që dhe pa dijeninë e tyre fare ishin përfshirë në atë diskutim. Në fund patëm 6 kandidatura që morën më shumë kohë për t’u shoshitur pastaj konsensualisht duke dëgjuar me vëmendje ato që u thanë , konsensualisht u arrit në konkluzionin që të vinim sot në grup dhe të propozonim këtë kandidaturë”, deklaroi kryeministri Rama.