Bajram Begaj është zgjedhur zyrtarisht presidenti i 8-të i republikës së Shqipërisë. Në sallën e parlamentit ditën e djeshme nuk mungoi asnjë prej 74 deputetëve të PS-së, duke e bërë të sigurt zgjedhjen e ushtarakut për President.
Presidenti i Republikës që u propozua nga socialistët arriti të zgjidhej në raundin e katërt ku kërkohet shumicë e thjeshtë dhe mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.
I pari që e uroi ishte dhe ai që e zbuloi emrin e tij, vetëm një një ditë para së shtunës, Edi Rama. Ai la vendin e të e tij në Parlament, dhe u ul tek karriget e deputetëve, afër Bajram Begajt, i cili prej fillimit të seancës ishte ulur tek llozhat e sallës, nga ku ndoqi një për një deputetët tek votonin për të.
Në një sallë që u braktis nga deputetët e PD-së, procesi i votimit nisi dhe përfundoi pa zhurmë dhe pengesa. Nga opozita të vetmit deputetët që votuan ishin ata të LSI-së dhe të PDIU-së. Pas finalizimit të procesit, Bajram Begaj nuk preferoi të jap një mesazh. Por nuk mungoi nga Edi Rama, që nuk i dha rëndësi numrit të votave por mbylljes së procesit.
“Nuk ka asnjë rëndësi se ka qenë përfundimi aritmetik. Ky proces është kurorëzuar me një provë të prekshme për të gjithë se PS është këtu për të bërë më të mirën që zgjedhjet, vendimet dhe aktiviteti si shumicë të shkojnë me interes të vendit.”
PS që në fillim kërkoi një figurë të kundërt nga Ilir Meta.
“Është figurë e identifikueshme me njeriun besnik ndaj vendit dhe detyrës. Dhe shembullin e një burri të qetë normal dhe të arsyeshëm. Se kemi pritur kurrë dhe se kemi kërkuar kurrë një konsensus me të vdekurit. Ne kemi qenë këtu për të pasur konsensus me të gjallët, dhe këtu kuptoj njerëzit që besojnë tek ky vend. E kemi arritur plotësisht me këtë figure”.
Megjithatë për të hyrë në zyrën e presidentit, Bajram Begaj duhet të presë 24 korrikun, atëherë kur i mbaron mandati Ilir Metës. Ndonëse u mendua që Meta mund të shfaqej si pengesë për socialistët në zgjedhjen e presidentit të ri, kjo nuk ndodhi për pasuesin e tij, ushtarakun Bajram Begaj.
Begaj dorëzoi te Kryeministri dhe ministri i mbrojtjes dorëheqjen nga posti i shefit të shtabit të forcave të armatosura. Por ligji i forcave të armatosura sanksionon që ushtarakët në shërbim aktiv nuk mund të zgjidhen dhe as të emërohen në detyra të tjera shtetërore. Lirimin nga detyra e dekreton Ilir Meta, si Komandat i Forcave të Armatosura.
Disa orë pas diskutimeve Meta publikoi një video nga Stambolli, ku ishte për një vizitë zyrtare. Duke e firmosur lirimin nga detyra e ushtarakut aktiv, Bajram Begaj shkoi drejt Parlamentit, për marrjen e postit të Presidentit, në mënyrë të sigurt.
Madje pasi Begaj u votua në parlament Ilir Meta e ka uruar përmes një postimi në Facebook. Meta ka ndarë foton e Begajt në momentin kur është mësuar se është zgjedhur President duke e uruar për detyrën e re si kreu i shtetit.
Kurse nga ana e opozitës ka pasur kontestime. Kjo e fundit nuk ja doli që t’i marrë maxhorancës të drejtën për të propozuar Presidentin, megjithatë 26 përfaqësues të saj ishin në seancë plenare.
Në mes të një përplasjeje të forta numrash dhe lëvizjesh deputetësh, demokratët u treguan të kujdesshëm që votat e tyre në votimin e fshehtë të mos rridhnin. Enkelejd Alibeaj ja doli të bindë deputetët e tij të mos shkojnë në seancë plenare dhe të bojkotojnë por Berisha dhe deputetët e tij kishin një tjetër strategji. Kishin paralajmëruar se do të votonin kundër çdo kandidati që do të sillte Edi Rama në Parlament. Grida Duma nuk është pjesë e atij që njihet si grupimi i Sali Berishës, por qartë ka vendosur të mos jetë në rreshtin e Enkelejd Alibeaj ndaj edhe nuk ju përgjigj kërkesës së tij për bojkot.
Në seancë krahas Dumës mori pjesë edhe Agron Gjekmarkaj, Ferdinand Xhaferaj dhe Ervin Salianji. Katër aleatët historik të PD ishin në seancë për të respektuar procesin. Por jo për të shprehur vullnetin përmes votës.
LSI u zotua përmes Monika Kryemadhit se 3 votat e deputetëve të saj që morën pjesë në seancë do të ishin kundër, Bajram Begajt.
Tre deputetët e PDIU erdhën në seancë por nuk mbajtën një qëndrim për votën e tyre. Sali Berisha kërkoi që përpara se të niste procesi i votimit të shprehej për shkeljen e kushtetutës që mazhoranca po konsumonte me kandidatin për President. Pas kësaj Berisha dhe deputetët e tij, bojkotuan votimin. /abcnews.al