Ligji, i cili përcakton se vetëm makinat me emetim zero do të lejohen të shiten në Evropë nga viti 2035, u miratua me shumicë votash në Parlamentin Evropian.
Kjo do të thotë se do të ndalohet shitja e automjeteve të reja me benzinë dhe me naftë, shkruan Politico.
Projektligji, i cili synon të reduktojë emetimet totale të dioksidit të karbonit me 55 për qind deri në vitin 2030 nga nivelet e vitit 1990, u mbështet nga 339 eurodeputetë, 249 kundër dhe 24 abstenime.
Teksti tani duhet të miratohet me Këshillin Evropian dhe versioni përfundimtar do të nënshkruhet nga ministrat e mjedisit të vendeve anëtare të BE-së në një takim në Luksemburg më 28 qershor.
Dëshira është të përshpejtohet tranzicioni drejt automjeteve elektrike në Evropë dhe të inkurajohen prodhuesit e makinave të investojnë më shumë në elektrifikim, gjë që inkurajohet më tej nga një ligj tjetër që do t’u kërkonte shteteve anëtare të ngrenë miliona stacione karikimi për automjetet elektrike.